Varësia nga teknologjia është problem i përhapur edhe në vendin tonë, por ndryshe nga vendet evropiane, tek ne nuk i kushtohet aq rëndësi. Për këtë ka alarmuar drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Dr. Shaban Mecinaj
Ariana Ismaili
Klinika e Psikiatrisë në QKUK trajton çrregullime të ndryshme dhe numri i pacientëve po shtohet nga viti në vit. Vetëm vitin e kaluar kjo klinik ka hospitalizuar rreth 1000 pacientë, ndërsa ka ofruar 20 mijë shërbime konsultative.
Drejtori i kësaj klinike, Dr. Shaban Mecinaj, ka konfirmuar se rastet po shtohen, mirëpo kjo pasi njerëzit janë vetëdijesuar për kujdesin ndaj shëndetit mental, shkruan Gazeta Shneta.
Mecinaj tregon se ndër psikopatologjitë më të shpeshta që paraqiten aty janë psikozat si skizofrenia, çrregullimet e personalitetit dhe varësitë e ndryshme, ndërsa problemi të cilit nuk i kushtojmë aq rëndësi sa duhet është varësia nga teknologjia.
“Përkundër çrregullimeve që trajtojmë dhe varësive nga droga e alkooli për të cilat kemi terapi të veçanta, nuk kemi raste të varësisë nga teknologjia kjo pasi që si shoqëri nuk e shohim fare si problem për t’u trajtuar”, ka deklaruar Mecinaj
Ai ka bërë të ditur se Ankthi është shumë i përhapur dhe se përcjellë të gjitha psikopatologjitë e tjera. “Ankthin do ta konsideroja problem qenësor prej të cilit shfaqen shumë sëmundje tjera psikike”, ka thënë mjeku.
Mecinaj ka thënë se klinika për momentin funksionon me kapacitete të plota, përveç sociologut i cili tanimë është pensionuar dhe pozita e tij ende nuk është plotësuar. Në klinikë punojnë 20 mjekë specialistë të psikiatrisë, dy pedagogë dhe 4 psikologë. /Gazeta Shneta/