Një studim i ri ka zbuluar se valët ekstreme të të nxehtit, veçanërisht gjatë natës, mund të rrisin ndjeshëm rrezikun e krizave të astmës tek të rriturit dhe fëmijët. Sipas hulumtimit, temperaturat e larta gjatë natës lidhen me shtim të vizitave emergjente në spitale për probleme të frymëmarrjes.
Studiuesit analizuan rastet e pacientëve me astmë në Baltimore gjatë verave nga viti 2016 deri në 2022 dhe i krahasuan ato me temperaturat ditore dhe të natës në lagjet ku jetonin pacientët.
Rezultatet treguan se zonat me temperatura më të larta gjatë natës kishin më shumë raste të krizave të astmës, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Fëmijët rezultuan 28% deri në 47% më të rrezikuar për të përjetuar sulme të rënda të astmës pas netëve shumë të nxehta, ndërsa tek të rriturit rreziku u rrit nga 26% deri në 40%.
Ekspertët shpjegojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj nxehtësisë gjatë natës e lodh organizmin, pasi trupi nuk arrin të pushojë dhe të rikuperohet siç duhet.
Sipas mjekëve, simptomat e astmës zakonisht fillojnë me kollë, shtrëngim në gjoks dhe vështirësi në frymëmarrje. Shumë pacientë fillimisht përpiqen të kontrollojnë gjendjen me inhalatorë, por pas disa ditësh simptomat mund të përkeqësohen dhe të kërkojnë trajtim urgjent.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se lagjet me të ardhura më të ulëta janë më të prekura, pasi shumë banesa nuk kanë ajër të kondicionuar.
Ata kërkojnë që sistemet paralajmëruese për valët e të nxehtit të marrin parasysh edhe temperaturat gjatë natës dhe ndryshimet mes lagjeve të ndryshme të qyteteve.
Sipas studiuesve, monitorimi më i detajuar i temperaturave lokale mund të ndihmojë në mbrojtjen më të mirë të komuniteteve më të rrezikuara dhe në parandalimin e krizave serioze të astmës. /Gazeta Shneta/


