Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë Tevide Imeri ka dal me një adresim në Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve.
Imeri ka thënë se roli i infermierëve është vendimtar në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, andaj iu ka bërë thirrje institucioneve që ta njohin punën e tyre dhe të sigurojnë kushte dhe paga më të mira, transmeton Gazeta Shneta.
Lexoni adresimin e saj të plotë:
Më 12 maj, festojmë Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve. Këtë vit, pandemia e COVID-19 duket pak më e zbehur, por jo edhe roli vendimtar i infermierëve në sektorin shëndetësor në shoqërinë tonë. Përkundrazi, me zvogëlimin e numrit të vdekjeve, ulet edhe vëmendja e mediave dhe politikanëve për rolin e atyre që rrezikuan jetën gjatë pandemisë.
Ne u bëjmë thirrje sërish politikëbërësve të njohin punën vendimtare të infermierëve dhe të sigurojnë paga dhe kushte më të mira pune, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë në punë. Kompleksiteti i punës së profesionistëve shëndetësor kërkon më shumë ekuilibër dhe barazi në strukturat e pagave.
Kjo duhet të përfshijë sigurimin e shëndetit dhe sigurisë në vendin e punës dhe menaxhimin e faktorëve të rrezikut psikosocial dhe stresit të lidhur me punën. Intensifikimi i punës gjatë pandemisë, i shkaktuar nga nivelet e pamjaftueshme të personelit dhe mungesa e investimeve të vazhdueshme, rriti stresin tek infermierët dhe ndikoi në mirëqenien e tyre mendore.
Në këtë ditë feste i bashkohemi motos së Federatës Evropiane të Sindikatave në të cilën FSSHK është anëtare fuqiplotë “Tani është koha për të kaluar nga duartrokitjet në veprime konkrete”.