Stina e dimrit filloi zyrtarisht më datë 21 dhjetor duke sjellë me vete shqetësimet e prindërve për vogëlushët e tyre të cilët gjatë ketij sezoni janë më të rrezikuar se kurrë nga viruset që qarkullojnë në këtë stinë. Si një nënë duhet të merrni disa masa mbrojtëse për ta mbrojtur të voglin tuaj nga këto viruse e baktere gjatë dimrit të gjatë. Dhe këto janë këshillat për të gjitha nënat:
Mos harroni qe t’u lani duart
Sigurohuni që ju dhe familjarët tuaj të lani gjithmonë duart përpara se të prekni bebin. Fëmijët dhe të rriturit mund të mbartin mikrobe të cilat trupi i tyre mund t’i luftojë, por që mund të jenë vërtet të rrezikshme për bebin.
Kini kujdes lagështinë e ajrit
Kur përdorni ngrohëset për të qëndruar ngrohtë në shtëpitë tuaja gjatë këtyre ditëve të ftohta sigurohuni që ato nuk po e thajnë ajrin, pasi mungesa e lagështisë në ajër mund të dëmtojë rrugët e ndjeshme të frymëmarrjes së bebit.
Vishni mirë
Nëse jeni duke dalë për një shëtitje apo për çdo arsye tjetër, sigurohuni që bebi juaj të ndihet rehat dhe ngrohtë, pasi bebet e vegjël mund ta humbasin nxehtësinë e trupit shumë shpejt edhe nëpërmjet duarve.
Sigurohuni të ndihet ngrohtë në gjumë
Nëse natën është shumë ftohtë mos mendoni se një batanije më tepër e bën punën, në vend të saj mund të ndizni ngrohësen, t’i vishni bebit pizhame të trasha dhe çorape shtesë.
Jepini të pijë më shumë
Lëreni bebin të pi sa më shumë, pasi atij i nevojiten lëngje për të qënë i hidratuar pasi sado që është ftohtë dhe bebi nuk djersin shumë, dehidratimi është ende një problem serioz.