Kryeministri Albin Kurti në një takim që ka mbajtur sot me ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifi dhe Bordin e SHSKUK-së, ka ripërsëritur idenë e ndarjes së sektorit publik nga ai privat në shëndetësi.
Në këtë takim Kurti ka paraqitur gjashtë tema kapitale që sipas tij ka nevojë shëndetësia të përmirësohet. Tema e parë që ka përmendur është “Ndarja dhe bashkëpunimi publiko-privat në sektorin e shëndetësisë”, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo nuk është hera e parë që Kurti e ngrit idenë që mjekët të zgjedhin në mes të sektorit publik dhe privat për të punuar me pacientë.
Në vitin 2019 Kurti kishte deklaruar se në qeverisjen e tij nuk do të lejohet që mjekët t’i marrin pacientët nga spitalet publike në ordinancat e tyre private.
“Nuk do të lejojmë më që mjekët t’i marrin pacientët nga spitalet publike dhe t’i akomodojnë ata në ordinancat e tyre private pas orarit të punës”, kishte thënë Kurti.
Ndërkaq edhe në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2021, ndarja e publikut nga privati ishte një nga pikat e programit për shëndetësinë.
“Në mënyrë që të shmangen konfliktet aktuale të interesit do të punohet për një ndarje më të qartë të sektorit publik dhe atij privat. Ne jemi të bindur se me ngritjen e kapaciteteve dhe strukturave në sektorin publik ky konflikt interesi do të ulet ndjeshëm”, thuhej në program. /Gazeta Shneta/




