Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Në emër të Bordit, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, njëherësh edhe Kryesuese e Bordit, e njoftoi kryeministrin Kurti për mbledhjen konstituive të mbajtur dje dhe për vendimet e marra në këtë mbledhje.
Përveç zgjedhjes së Kryesueses dhe Zëvendës kryesuesit të Bordit, me shumicë votash, në këtë mbledhje u vendos që të largohet përkohësisht nga puna drejtori i deritanishëm i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.
Në vend të tij, ushtruesi i detyrës së Drejtorit, u emërua Bujar Kaçuri.
Siç njoftoi sot Zyra për Media e qeverisë, kryeministri Kurti uroi anëtarët e Bordit për detyrën e tyre të re dhe u dëshiroi suksese në përmbushjen e synimeve të tyre, që njashtu janë edhe të Qeverisë.
Ai tha se Bordi ka mbështetjen e plotë të Qeverisë në realizimin e përgjegjësive dhe qëllimeve të tyre, teksa vendosi theksin te rëndësia e transparencës së këtij institucioni./Paparaci/