Përdorimi i barnave që imitojnë hormonin GLP-1 është rritur ndjeshëm vitet e fundit, kryesisht për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe obezitetit. Medikamente të njohura si Ozempic, Zepbound dhe Mounjaro tashmë po studiohen edhe për përfitime të tjera shëndetësore, përtej kontrollit të peshës dhe sheqerit në gjak.
Studimet e fundit kanë sugjeruar se këto barna mund të ndihmojnë edhe në trajtimin e sëmundjeve të zemrës, sëmundjeve kronike të veshkave, mëlçisë së dhjamosur, sindromës së vezoreve policistike dhe sëmundjeve reumatike si artriti reumatoid dhe osteoartriti.
Tani, një zbulim i ri shkencor mund të hapë një kapitull krejtësisht të ri në trajtimin e artritit, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i publikuar në revistën shkencore “The Lancet Rheumatology”, ka zbuluar se sasi të vogla të hormonit natyral GLP-1 gjenden edhe në lëngun sinovial – lëngu që ndodhet në kyçe.
Ky zbulim sugjeron se ky hormon mund të ketë rol të drejtpërdrejtë në shëndetin e nyjeve dhe mund të shfrytëzohet për trajtime të reja.
Studiuesit analizuan mostra gjaku dhe lëngu të kyçeve nga pacientë me artrit reumatoid dhe spondiloartrit, duke i krahasuar me individë të shëndetshëm.
Rezultatet treguan qartë praninë e GLP-1 në lëngun e kyçeve, megjithëse në nivele të ulëta.
Sipas autorit kryesor të studimit, profesorit Tue Wenzel Kragstrup, ky është një hap i rëndësishëm për të kuptuar nëse terapitë me bazë GLP-1 mund të kenë efekt të drejtpërdrejtë në nyje.
Ai shpjegon se artriti përfshin një grup sëmundjesh që shkaktojnë dhimbje, inflamacion dhe ulje të cilësisë së jetës, dhe megjithëse ekzistojnë trajtime, shumë pacientë nuk arrijnë kontroll të plotë të sëmundjes ose përjetojnë efekte anësore.
Një tjetër gjetje e rëndësishme është lidhja midis niveleve të GLP-1 në gjak dhe atyre në lëngun e kyçeve.
Studiuesit zbuluan se sa më i lartë të jetë niveli i këtij hormoni në gjak, aq më i lartë është edhe në nyje.
Kjo sugjeron se rritja e GLP-1 përmes medikamenteve mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në zonat e prekura nga artriti.
Megjithatë, mbetet ende për t’u vërtetuar nëse barnat ekzistuese arrijnë në përqendrime të mjaftueshme në kyçe për të pasur efekt real terapeutik. /Gazeta Shneta/


