Hulumtimet e reja zbuluan se ilaçi spironolakton, i përshkruar shpesh për hipertensionin (presionin e lartë të gjakut), mund të zvogëlojë rrezikun e dështimit të zemrës tek njerëzit që shërohen nga një atak në zemër.
Megjithatë, ky ilaç nuk e zvogëloi ndjeshëm numrin e vdekjeve ose ngjarjeve të tjera të rënda të lidhura me zemrën, sipas sesioneve shkencore të Shoqatës Amerikane të Zemrës të mbajtur në nëntor të vitit 2024. Ky hulumtim është botuar njëkohësisht në “New England Journal of Medicine”.
Prova CLEAR SYNERGY përfshiu më shumë se 7000 të rritur në 14 vende që kishin përjetuar një atak të rëndë në zemër. Fokusi i provës ishte të përcaktonte nëse përdorimi rutinë i spironolaktonit pas një ataku në zemër – pavarësisht nëse personi kishte dështim të zemrës – mund të ofronte përfitime më të gjera në reduktimin e incidencës së dështimit të zemrës dhe vdekjes.
“Ndërsa spironolaktoni nuk reduktoi vdekjet ose komplikimet e tjera të mëdha të zemrës pas një sulmi në zemër, ky ilaç zvogëloi gjasat e dështimit të zemrës, që është një gjetje e rëndësishme për pacientët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor”, tha Dr. Sanjit Jolly, autori kryesor i provës dhe një shkencëtar në Institutin e Kërkimeve Shëndetësore të Popullsisë nga Ontario, Kanada. /Gazeta Shneta/


