Disa muaj pasi ishte kthyer në një makth që përdorej në lojërat virtuale në mediat sociale, artisti japonez që krijoi kukullën Momo thotë se e ka shkatërruar. “Mallkimi është zhdukur”, shprehet për “The Sun” skulptori Keisuke Aiso.
Ai thotë se tani kjo skulpturë nuk ekziston më dhe ka siguruar fëmijët se kukulla Momo është zhdukur. Kjo skulpturë u krijua prej tij në vitin 2016, por kohët e fundit ishte përdorur si ikona e një loje virtuale që këshillonte fëmijët të kryenin veprime të rënda që përfundonin deri në vetëdëmtim.
Shembulli është i ngjashëm me lojën e “Balenës Blu”, që për të kaluar etapat e lojës duhet të ndiqje këshillat që jepeshin dhe që përfundonte me vetëvrasje.
Gjatë këtyre javëve ishin shtuar shqetësimet nga prindërit e fëmijëve që luanin lojën virtuale “Kukulla Momo”. Kjo lojë mori vëmendje në muajin Gusht kur një vajzë 12-vjeçare në Argjentinë u vetëvra pasi kishte ndjekur udhëzimet që i jepeshin në lojë.
Edhe në Kolumbi u raportuan dy vdekje të shkaktuara nga kjo lojë. Por, tani skulptori që krijoi veprën e tij, njofton se e ka shkatërruar për të zhdukur mallkimin.
Megjithëse ai nuk ka asnjë lidhje me lojën virtuale, pasi janë persona të tjerë që kanë krijuar këtë lojë dhe kanë përdorur imazhin e kësaj skulpture. /tvklan.al