Nesër në orën 14:00 do të jetë përcjellja e fundit nga kjo botë për Adelajda Xhamanin, gazetaren e njohur shqiptare që u nda papritur nga jetë këtë mëngjes herët si pasojë e një ataku kardiak.
Adela, siç të gjithë e thërrisnin, do të nderohet me homazhe në Kinemanë e qytetit të Kavajës, prej nga ajo ishte me origjinë dhe ku ka familjen e saj, të cilës i la pas një dhimbje të papërshkrueshme për humbjen e kobshme. Një lajm ky që miku i saj, Eraldo Rexho nuk do donte ta jepte kurrë për të. Por themeluesi i revistës “Who” ku Adela ishte kryeredaktore, ka bërë të ditur në rrjetin social detajet për ceremoninë e lamtumirës.
“Sot e kam të pamundur të shkruaj për ty Adela… Por meqë të gjithë e dinin miqësinë tonë, e kam unë për detyrë t’i njoftoj të gjithë dashamirësit e tu, se nesër ora 12:00, në Kinemanë e qytetit tënd, Kavajës, do të mbahen homazhet për ty engjëll dhe prej aty do bëhet përcjellja jote për në banesën e fundit… Të Dua Shumë Adela, Mungon Pafund”, – njofton ai në rrjetet sociale, me foton simbol të zizë. Adela u nda nga jetë në banesën e saj në zonën e Freskut ku jetonte e vetme. Së fundi ajo kishte nisur një rrugëtim të ri në karrierën e saj, si pjesë e televizionit FaxNews.
Më 15 nëntor ajo do të çelte puntatën e parë të emisionit të drejtuar nga vetë gazetarja, “Shtëpia e Adelës”. Një ëndërr, që si shumë pasione të saj, u thyen me ndarjen nga jeta vetëm në moshën 31-vjeçare.
Adela u bë e njohur për publikun shqiptar me pjesëmarrjen në edicionin e dytë të “Big Brother Albania”, ku spikati për çiltërsinë dhe sinqeritet e saj, me një guxim për të thyer tabutë dhe mentalitetin e qytetit të vogël të Kavajës prej nga ajo vinte. /Gazeta Express