Ismet Lecaj, kandidati i vetëm për drejtor në Qendrën Kombëtare të Telemjekësisë i cili është rrugës për t’u rizgjedhur në mandatin e gjashtë, e ka pranuar se nuk ka specializim e as licencë si dhe është i afërt me ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifi. Rizgjedhja e tij në këtë pozitë do të ishte shkelje e Statutit të SHSKUK-së.
Ismet Lecaj ka vendosur që t’i përgjigjet pyetjeve të Gazetës Shneta pas publikimit të lajmit se i njëjti nuk ka specializim dhe licencë valide të lëshuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës, si dhe është njeri i afërt me ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifi.
Lecaj e ka pranuar se nuk ka specializim të kryer pasi kishte vendosur që të merrej me çështje të menaxhmentit shëndetësor, si dhe nuk ka aplikuar asnjëherë për licencë në Odën e Mjekëve të Kosovës. Ai poashtu e ka pohuar afërsinë e tij me ministrin Latifi.
“Sot, 20 vite pas, raporti im me Profesorin e Respektuar, aktualisht Ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, është raport i respektit dhe mirënjohjes për punën e tijë të palodhshme ndër vite në fushën e telemjekësisë dhe edukimit profesional dhe jo vetëm”, ka deklaruar Lecaj, teksa ka shpjeguar kronologjinë e themelimit të Telemjekësisë që nga iniciativa e Latifit në vitin 2000.
“Pikërisht pas përmbylljes se fazës se parë të Projektit të Telemjekësisë se Kosovës (projekti kishte/ka 3 faza zhvillimore) me rekomandim të Task Menaxherit të AER, dhe Prof. Latifi unë bëra zgjedhjen time të karrierës-Telemjekësinë dhe fillova punën në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës si Drejtor Operativ përgjegjës për administrimin/menaxhimin e aktiviteteve në zhvillimin e mëtejmë të programit dhe përgatitjen për fazën e dytë te zhvillimit te tij. Prandaj për tu përgjigjur në pyetjen tuaj të parë rreth specializimit klinik, unë nuk kam zgjedhur një specializim klinik dhe nuk jam klinicist. Jam përcaktuar për Administrim/Menaxhim të Telemjekësisë dhe këtë punë vazhdoj ta bëj që nga kjo kohë”, ka deklaruar Lecaj.
“Prandaj, duke mos qenë mjek klinicist, kjo fushë-veprimi nuk kërkon licencë pune mjekësore nga Oda e Mjekëve te Kosovës dhe nuk kam aplikuar për një të tillë”, ka thënë Lecaj.
Lecaj është kandidati i vetëm për t’u rizgjedhur si drejtor në Telemjekësi. Ai ka kaluar fazën e parë të konkursit ku në testin me shkrim ka marr 42 pikë nga Komisioni përzgjedhës.
Rizgjedhja e tij në këtë pozitë përbën shkelje të Statutit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Neni 18, pika 2 e Statutit të SHSKUK-së nënvizon se kandidatët për drejtor të njësive të SHSKUK-së duhet të kenë së paku specializimin e kryer.
Por Zyra e Personelit në SHSKUK ka deklaruar se janë detyruar të pranojnë dokumentet e Lecajt, pasi nuk ka pasur kandidatë të tjerë me përvojë menaxheriale. E derisa Lecajt i është pranuar kandidatura pa specializim, një kandidati tjetër nuk i është pranuar përvoja menaxheriale në një projekt të një organizate ndërkombëtare. /Gazeta Shneta/