Klinika e Gjinekologjisë në QKUK ka dhënë një sqarim për rastin e lehonës 21-vjeçare e cila ndërroi jetë para tre ditësh në njësinë intensive në objektin e Mjekësisë Sportive në QKUK. Gjinekologët kanë deklaruar se pacientja e intubuar ishte futur në lindje cezariane dhe kishte përfunduar mirë. Drejtori i Neonatologjisë ka thënë se foshnja është në gjendje stabile
Lehona 21-vjeçare nga Podujeva e lindur në vitin 1999 kishte shkuar në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK më datën 8 të këtij muaji rreth orës 21:25 me dhimbje dhe temperaturë 38.2C. Pacientja një ditë më parë ishte testuar për Covid dhe ishte në pritje të rezultatit, shkruan Gazeta Shneta.
Në një letër sqaruese nga KOGJ të cilën e ka siguruar Gazeta, përshkruhet gjendja e pacientes dhe diagnoza e saj pas pranimit në repartin e izolimit në këtë klinikë. Për rastin e saj ishte ftuar anesteziologu kujdestar si dhe një pulmolog për konsult ndërsa ishte vendosur në maskë për oksigjen.
Sipas përshkrimit në këtë dokument, pulmologu kishte konstatuar bronkopneumoni dhe i kishte caktuar terapi me antibioktikë, kortikosteroide, oksigjen, antikoagulantë dhe analgjetikë.
Për rastin e gruas shtatzënë ishte ftuar në konsultë edhe infektologu i cili për shkak të gjendjes së rëndë të pacientes kishte kërkuar që të transferohet në Klinikën Infektive, përkatësisht në Mjekësinë Sportive ku kishte qëndruar deri më datën 10 korrik.
“Më datën 10.07.2020 në ora 12:30 në mënyrë konziliare dhe në konsultim me mjekët anesteziolog, për shkak të gjendjes së rënduar të pacientes, në interes të frytit vendoset që të kryhet lindje e parakohshme me prerje cezariane. Për këtë njoftohen anesteziologu në Mjekësinë Sportive, drejtori U.D. SHSKUK-së, dhe mobilizohet ekipa për intervenim kirurgjik në sallën e dedikuar për pacientë me Covid-19 në KOGJ”, thuhet në këtë dokument.
Për gjendjen e rëndë të pacientes ishin njoftuar edhe familjarët, bashkëshorti dhe babai i saj të cilët kishin nëshkruar pëlqimin. Sipas gjinekologëve, lindja ishte kryer pa komplikime.
“Më datën 10.07.2020 në ora 17:22 pacientja me prerje cezariane lind foshnjë të gjallë të gjinisë femër me peshë trupore 2530 gr dhe APGAR score 5/6. Ndërhyrja kirurgjike kaloi pa komplikime dhe pacientja menjëherë transferohet në Mjekësinë Sportive për kujdes intensiv për shkak të gjendjes”, thuhet në këtë dokument.
Gazeta ka kontaktuar edhe me drejtorin e Klinikës së Neonatologjisë Dr. Xhevdet Gojnovci i cili ka deklaruar se foshnja është në gjendje stabile dhe me parametra normal. /Gazeta Shneta/