Të qenit nënë surrogate i është dukur mrekulli që në kohën kur ishte 17 vjeçe.
Pasi u martua dhe lindi dy fëmijët e saj, Michelle Green nga Britania e Madhe, i propozoi burrit të saj që ajo të bëhet nënë surrogate për çiftet që nuk mund të bëjnë fëmijë, shkruan Motherandbaby, transmeton Gazeta Shneta.
Dëshira e saj u plotësua nga shoqata e nënave surrogate, e cila bën të mundur gjetjen e grave që duan të ndihmojnë çiftet për t’u bërë prindër.
“Ishim me fat. Vetëm 10 ditë pas fertilizimit, morëm telefonatën nga klinika që unë isha shtatzënë. Ishte befasi e madhe për mua, por edhe për Carolinën dhe Ianin, se unë tashmë isha shtatzënë me fëmijë binjakë”.
“Duke ditur që po mbajë binjakët e dikujt tjetër në barkun tim, ishte një përgjegjësi mjaft e madhe për mua”, thotë Green.
Nënë surrogate është një grua e cila kryen transferin e embrionit të krijuar nga vezoret e një gruaje tjetër, e cila nuk mund të mbetet shtatzënë.
Rastet e nënave surrogate janë të rregulluara me ligj në Britaninë e Madhe që nga viti 1994. Ato kanë të drejta të jenë nëna të fëmijëve që mbajnë, përveç kur nënshkruajnë se pas lindjes e drejta prindërore iu takon dhuruesve.
Ato nuk kanë të drejtë të kompensohen me para, përveç shpenzimeve që kërkohen gjatë shtatzënisë.
Në Britani poashtu janë krijuar edhe shoqata të cilat bëjnë të mundur gjetjen e grave që do të bëhen nëna surrogate për çiftet që nuk mund të bëhen prindër.
Një gjë e tillë është e ndaluar në Kosovë sipas ligjeve në fuqi. Në Udhëzimin Administrativ për Frytnim të Asistuar, neni 28 ndalon amësinë surrogate.
“Ndalohet shërbimi i lindjes së fëmijës për tjetrin – surrogat amësia”, thuhet në këtë nen.
Pothuajse njëjtë është e rregulluar edhe në Shqipëri, ndonëse atje kishte kërkesa për të lejuar një gjë të tillë.
Në vitin 2015 një vajzë së cilës i ishin publikuar vetëm inicialet A.B. kishte pushtuar mediat me tentim-kërkesën e saj ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për t’ia lejuar nënën zëvendësuese.
Për këtë çështje në Kosovë nuk ka pasur ndonjë debat dhe nuk dihet nëse do të bëhet e mundur në të ardhmen.
Sidoqoftë, nëna surrogate nga Britania lindi pas nëntë muajsh dhe foshnjën ua dha prindërve biologjik.
“Jam shumë krenare për këtë, që arrita t’i ndihmoja ata që të bëhen prindër. Tani jemi shok shumë të mirë dhe kjo është fantastike”, ka deklaruar Michelle. /Gazeta Shneta/