Një nga momentet më emocionuese gjatë shtatzënisë është kur nëna ndien për herë të parë lëvizjet e foshnjës. Këto lëvizje janë shenjë e mirëqenies dhe zhvillimit normal të saj. Zakonisht ato fillojnë të ndihen mes javës së 16-të dhe 24-të të shtatzënisë, megjithëse në shtatzënitë e dyta apo të mëvonshme mund të ndihen më herët.
Lëvizjet e para shpesh përshkruhen si dridhje të lehta, ndjesi fluturash në bark, rrëshqitje apo goditje shumë të vogla. Me kalimin e javëve, ato bëhen më të qarta dhe më të forta, duke përfshirë shkelma, shtytje apo lëvizje me bërryla.
Çdo foshnjë ka ritmin dhe modelin e vet të lëvizjes. Nuk ekziston një numër i caktuar lëvizjesh që duhet të ndihen çdo ditë. Më e rëndësishmja është që nëna të njohë modelin normal të foshnjës së saj. Nga java e 24-të deri në të 28-tën, shumica e grave fillojnë ta kuptojnë më mirë këtë ritëm.
Foshnjat lëvizin çdo ditë deri në lindje, madje edhe gjatë procesit të lindjes. Ato mund të jenë më aktive në disa orare të ditës dhe të pushojnë në intervale të shkurtra gjumi që zakonisht zgjasin 20 deri në 40 minuta.
Nuk rekomandohet më numërimi i goditjeve apo mbajtja e tabelave të lëvizjeve. Megjithatë, është e rëndësishme që çdo ditë të gjendet pak kohë për t’u përqendruar dhe për të vërejtur lëvizjet e foshnjës.
Nëse nuk keni ndier lëvizje deri në javën e 24-të, ose nëse vini re pakësim apo ndryshim të dukshëm të lëvizjeve në çdo fazë të shtatzënisë, kontaktoni menjëherë mjekun ose maminë. Mos prisni ditën tjetër. Kontrolli i hershëm është shumë i rëndësishëm për sigurinë e foshnjës. /Gazeta Shneta/


