Një zbulim i ri nga studiuesit e Universitetit Shtetëror të Arizonës dhe Institutit Banner Alzheimer, në bashkëpunim me hulumtues ndërkombëtarë, ka zbuluar një lidhje të mundshme midis një infeksioni kronik të zorrëve dhe zhvillimit të sëmundjes Alzheimer në një nëngrup njerëzish.
Studimi sugjeron se një virus i zakonshëm, i quajtur citomegalovirus (HCMV) – pjesë e familjes së viruseve herpes – mund të luajë një rol në këtë proces. Shumica e njerëzve ekspozohen ndaj këtij virusi gjatë dekadave të para të jetës. Edhe pse nuk transmetohet seksualisht, virusi përhapet përmes kontaktit me lëngje trupore kur është aktiv, raporton Medical Xpress, përcjell Gazeta Shneta.
Sipas hulumtimit të publikuar në revistën “Alzheimer’s & Dementia”, virusi mund të qëndrojë aktiv në zorrë dhe të udhëtojë drejt trurit përmes nervit vagus – lidhja kryesore midis zorrëve dhe trurit. Pasi arrin në tru, ai mund të ndryshojë sistemin imunitar dhe të nxisë procese që kontribuojnë në zhvillimin e Alzheimerit.
Dr. Ben Readhead, bashkëautor i studimit, shpjegon se: “Ne besojmë se kemi identifikuar një nëntip unik biologjik të Alzheimerit që mund të prekë 25–45% të pacientëve, i karakterizuar nga një profil specifik viral, antitrupash dhe qelizash imune.”
Aktualisht, ekipi po zhvillon një test gjaku për të identifikuar njerëzit me infeksion aktiv të HCMV, të cilët mund të përfitojnë nga trajtimi me ilaçe antivirale ekzistuese. Ky zbulim mund të hapë rrugën për qasje të reja parandaluese dhe terapeutike ndaj një prej sëmundjeve neurodegjenerative më të rënda në botë. /Gazeta Shneta/


