Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve është bërë “llugë” me disa akuza e kundër akuza ndërmjet mjekëve. Anesteziologia Dafina Rashica e ka denoncuar kirurgut Baton Kelmendi për ofendime, ndërsa ky i fundit e ka akuzuar Rashicën për rrëzim të rasteve operatore.
Komisioni Disiplinor ka pasur punë këtë javë me disa ankesa të cilat kanë shkuar nga Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve. Një prej tyre është ajo e anesteziologes Dafina Rashica e cila është ankuar më datën 15 prill se kirurgu Baton Kelmendi më 31 mars në ora 13:00 e kishte ofenduar rëndë pas përfundimit të programit elektiv, shkruan Gazeta Shneta.
“Ti je një hiq, ti je fëlliqësirë, ti as doktor nuk je, ti kurgjo nuk din, ti din veq me buzëqesh, shkaku yt njerëzit e kanë lënë punën, ti kudo që shkon bon veq skandale, ti je idiot, ti nuk din me punu e shumë e shumë fjalë ofenduese tjera”, ka shkruar Rashica në ankesën e saj.
Anesteziologia i ishte kundërvënë duke e quajtur kirurgun “ti je F32”. Tutje në ankesë ajo ka thënë se këto ofendime i kishin shkaktuar shumë stres dhe shqetësim.
Krejt kjo situatë sipas Rashicës kishte ndodhur kur kishte qenë duke bërë ekzaminimin preanesteziologjik për një fëmijë i cili ishte planifikuar të operohej. Por Rashica ka shkruar se pas ofendimeve nuk ka mundur të vazhdoj tutje.
Në anën tjetër kirurgu Kelmendi përmend në ankesën e tij se Dr. Dafina Rashica kishte kërkuar konsultë me kardiologun/pediatër, e që sipas tij nuk ishte e nevojshme pasi fëmija veç e kishte kryer një të tillë më herët.
Sipas Kelmendit për shkak të kësaj kërkese të Rashicës, pala është revoltuar dhe ka thirrë Policinë e poashtu ka kërkuar që anesteziologia të mos përfshihet më në trajtimin e fëmijës së tij.
“Prindi me datën 14.04.2021 është revoltuar dhe e ka pyetur pse dy herët e para kur e kanë hjekur nga programi nuk ja kanë kërkuar këtë analizë, është tensionuar situata dhe i kam ndëgjuar duke debatuar me zë të lartë në korridor”, ka shkruar ndër të tjera Kelmendi.
Por të kundërtën e pohon Rashica e cila thotë se Kelmendi i ka ndaluar prindërit që të konsultohet fëmija tek pediatri dhe i ka nxitur të njëjtit që të ankohen ndaj saj.
Në ankesën e tij ndaj Rashicës, Kelmendi përmend edhe drejtorin e Klinikës Dr. Murat Berisha, të cilin e akuzon se nuk qëndron në spital kur është kujdestar dhe sipas tij kjo është arsyeja pse mbesin raste pa u kryer.
Por tjera fjalë ka Berisha në ankesën e tij drejtuar Komisionit Disiplinor. Ai thotë se Kelmendi në bashkëpunim me prindin e kanë thirrë policinë për një incident të cilin sipas tij e ka nxitur vet Kelmendi. “Këtë incident e ka nxit Dr. Baton Kelmendi, ka mundur të zgjidhet pa asnjë problem, me ndihmën time. Por ky nuk ka dasht. Ardhja e policisë ka qenë e panevojshme”, ka shkruar Berisha.
Ai e ka akuzuar tutje Kelmendin se incidente të tilla ka shkaktuar edhe në të kaluarën. Ndaj Kelmendit është ankuar edhe infermierja Albina Aliu, e cila pretendon se është ofenduar nga kirurgu derisa ishte duke kryer punën e saj.