Major Vjollca Hoti: Gratë në Policinë e Kosovës kanë rëndësi në parandalimin e krimit
Major Vjollca Hoti, Komandante e Policisë së Kosovës në Stacionin Jugor në Prishtinë, ka ligjëruar me temën “Roli i gruas në sektorin e sigurisë” në Kongresin Kombëtar të Profesionistëve Shëndetësor.
Hoti ka thënë se misioni i Policisë së Kosovës është zbatimi i ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase.
“Objektivat strategjike janë: Të mbroj jetën dhe pronën, të mbaj rendin dhe qetësinë publike, të parandaloj dhe zbuloj krimin, të mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët pa dallim race, ngjyre, religjioni, gjinie dhe moshe”, është shprehur Hoti, transmeton Gazeta Shneta.
Major Hoti ka folur tutje për Shoqatën e Grave të Policisë së Kosoës, për të cilën ka thënë se mission i saj është fuqizimi i rolit dhe pozitës së gruas në këtë institucion. “Vetëdijësimi mbi çështjet që prekin gratë, promovimin e barazisë gjinore, zhvillimin professional dhe promovimin ndërkombëtar të shoqatës dhe grave police të Kosovës”, ka deklaruar Hoti.
Komandantja e stacionit policor ka folur për rëndësinë e gruas në siguri. Ajo ka treguar se gratë përfaqësojnë rreth 14.99 për qind të stafit policor, të cilat rreth 12.55 për qind janë të uniformuara.
Hoti ka thënë se rëndësia e gruas në siguri lidhet me parandalimin dhe zbulimin e krimeve, parandalimin e konfliktit, ndërtimin e paqes dhe ofrimin e ndjenjës së sigurisë për viktimat vajza dhe gra.
“Ne punojmë në drejtim të përfaqësimit të barabartë të grave dhe burrave në të gjitha nivelet e vendim marrjes për një botë më të sigurt për të gjithë”, ka thënë Hoti.
Major Vjollca Hoti është laureate e çmimit më të rëndësishëm ndërkombëtar për trimëri “Madaljen Valor” e cila iu nda në vitin 2016 në konferencën e 53-të të Asociacionit Ndërkombëtar të Grave në Polici në Britani e Madhe. /Gazeta Shneta/