Gjatë muajve të verës, shumë prindër pyesin nëse është e sigurt të fusin beben në det pas muajit të gjashtë të jetës. Mania Razije Musa, mami me përvojë mbi 50-vjeçare në disa vende të Evropës dhe Amerikës, ndan një qasje profesionale dhe të kujdesshme mbi këtë çështje që shqetëson shumë prindër të rinj.
Sipas udhëzimeve të shumta pediatrike dhe protokolleve ndërkombëtare, nuk këshillohet që foshnjat të futen në ujë të detit para muajit të 9-të ose të 10-të të jetës. Ka disa arsye të rëndësishme pse kjo moshë konsiderohet si kufi më i sigurt, transmeton Gazeta Shneta.
Pse nuk këshillohet deti për bebet nën 9 muaj?
- Imuniteti ende i dobët – Foshnjat janë më të ndjeshme ndaj infeksioneve që mund të gjenden në ujin e detit.
- Frika nga uji – Një kontakt i parakohshëm dhe pa përgatitje me ujin e hapur mund të shkaktojë frikë që zgjat me vite.
- Lëkura e ndjeshme – Uji i kripur mund të shkaktojë irritim, sidomos nëse beba ka ekzemë apo probleme të tjera dermatologjike.
- Rreziku i gëlltitjes së ujit – Edhe pak ujë i gëlltitur nga deti mund të shkaktojë të vjella, diarre ose shqetësime në zorrë.
Çfarë mund të bëni në vend të detit?
- Larje në vaskë me ujë të vakët, në mënyrë të kontrolluar dhe të qetë.
- Pishina të posaçme për bebe, nën mbikëqyrje të rreptë dhe me temperaturë të përshtatshme.
- Krijoni një përvojë pozitive me ujin, me lojëra të thjeshta, pa nxitim dhe pa frikë.
Kujdesi i tepërt është gjithmonë më i mirë sesa guximi i panevojshëm.
Nëse planifikoni të fusni beben në det, bëjeni vetëm me rekomandim të qartë nga pediatri, për kohë shumë të shkurtër, dhe me mbikëqyrje të plotë./Gazeta Shneta/


