21 marsi është dita botërore për personat me Sindromën Down, në këtë ditë në qendër të vëmendjes janë personat e prekur nga ky çrregullim. Përveç përkujdesjes dhe dashurisë që ju shprehet këtë ditë, ata kanë nevojë që të kuptohen për të gjitha vështirësitë që ata kalojnë.
Kështu, mamia Razije Musa, me anë të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, e ka cilësuar këtë çrregullim si më tepër dashuri duke shpjeguar që fëmijët e prekur nga Sindromi Down nuk duhet të shihen me një sy ndryshe nga fëmijët e tjerë, sidomos në fazat e hershme të zhvillimit të tyre.
Duke përmendur objektin që janë të vendosur fëmijët në qendrën Down Syndrome Kosova, ajo thotë se ai objekt nuk është i përshtatshëm për një zhvillim normal të këtyre fëmijëve, shkruan Gazeta Shneta.
Më poshtë keni postimin e plotë të mamisë: Ekstra kromozom, ekstra dashuri. Sot në ditën botërore të personave me Sindromën Down dua të ndaj disa informata për të gjithë.
Pikë së pari Sindroma Down nuk është një sëmundje, personat me sindromën down kanë shtesë kromozomin e 21.
Ekziston një perceptim se individët me sindromën down janë gjithmonë të lumtur, kjo nuk qëndron, ata përjetojnë çdo emocion e çdo vështirësi prandaj duhet marrë seriozisht krijimi i kushteve për edukim e jetë normale për ata.
Mos i shihni me sy tjetër, fëmijët me Sindromën Down kalojnë në të njëjtat periudha të zhvillimit si fëmijët e tjerë , thjeshtë keni durim krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre, fëmijëve me sindromën Down i nevojitet më shumë kohë dhe punë e përkushtim nga familja e profesionistët e shërbimeve terapeutike.
Në botë të rriturit me sindromën down edukohen, punojnë e martohen duke krijuar kështu një jetë totalisht normale.
Vitin e kaluar e vizitova qendrën Down Syndrome Kosova aty mbajta një ligjëratë për gjidhënien dhe fazën e ushqimit solid, atëherë e thash por po e them edhe sot (nëse asgjë nuk ka ndryshuar) ai objekt nuk është dinjitoz për këta fëmijë, nevojiten hapësira më të mëdha e kushte më të mira, përndryshe kam qenë e mrekulluar me punën e stafit dhe të drejtoreshës.
Apeli im është që të punohet fort për të krijuar kushte që këta individ të kenë mundësi për të kaluar në etapat e zhvillimit ashtu si çdo fëmijë tjetër. Me ekstra dashuri, Razija./Gazeta Shneta/