Hulumtimi nga CDC ka gjetur se vaksinat e ARN-së, të zhvilluara aktualisht vetëm nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna për COVID-19, zvogëlojnë rrezikun e infeksionit me 91 përqind te njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), ndër të tjera zbuluan se kishte ulje të rrezikut me 81 përqind te njerëzit që janë pjesërisht të vaksinuar, shkruan Healthline përcjell Gazeta Shneta.
Vaksinat zvogëlojnë ashpërsinë e sëmundjes tek njerëzit e vaksinuar që ende marrin COVID-19.
Hulumtimi i ri nga CDC-së, ka gjetur se vaksinat e ARN-së (ARNm) të përdorura kundër koronavirusit zvogëlojnë rrezikun e infeksionit COVID-19 me 91 përqind te njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar. Për njerëzit që janë vaksinuar pjesërisht, rreziku i reduktuar bie në 81 përqind.
Studimi i cili u publikua këtë muaj si një parashkrim në MedRxiv, gjithashtu tregon se vaksinat zvogëlojnë ashpërsinë e sëmundjes tek personat e vaksinuar plotësisht dhe pjesërisht që zhvillojnë COVID-19.
Provat klinike të vaksinave të kryera në vitin 2020 treguan se vaksinat e ARN-së të prodhuara nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna ishin jashtëzakonisht efektive në parandalimin e COVID-19.
“Tani me të dhënat e jetës reale ne po shohim përsëri dhe përsëri në studime të ndryshme se këto vaksina janë shumë efektive,” tha Inci Yildirim, një vaksinologe në shkollën e mjekësisë Yale.
“Individët e vaksinuar mbrohen nga marrja e infeksionit dhe transmetimi i infeksionit te të tjerët.”
Studimi vlerësoi të dhënat shëndetësore të 3,975 punonjësve të kujdesit shëndetësor – punonjësve të vijës së parë të frontit dhe punëtorëve të tjerë në nivel të personelit shëndetësor.
Pjesëmarrësit, të cilët kishin më shumë gjasa të ekspozoheshin ndaj COVID-19 për shkak të natyrës së punës së tyre, morën teste javore të SARS-CoV-2 për 17 javë.
Testet diagnostikuese u kryen përmes shtupave të hundës të cilat më pas u testuan në një laborator për SARS-CoV-2. Testet pozitive u studiuan më tej për të përcaktuar sasinë e ngarkesës virale në hundën e personit dhe kohëzgjatjen e rrjedhjes së virusit.
Studiuesit vlerësuan të dhënat sipas statusit të vaksinimit të pjesëmarrësve, shkallës lokale të COVID-19 në komunitetet e tyre dhe sa prej tyre përdorën pajisje mbrojtëse personale (PPE).
Ata zbuluan se vaksinat ulën rrezikun e infeksionit me 91 përqind te njerëzit që ishin vaksinuar plotësisht, që do të thotë 2 javë pas dozës së tyre të dytë. Vaksinat ulën rrezikun me 81 përqind te njerëzit që ishin vaksinuar pjesërisht. “Pjesërisht i vaksinuar” mund të nënkuptojë diku nga 14 ditë pas dozës së tyre të parë deri në 13 ditë pas dozës së tyre të dytë.
Studiuesit gjithashtu zbuluan se njerëzit e vaksinuar plotësisht dhe pjesërisht që ende zhvillonin COVID-19 kishin më shumë gjasa të kishin sëmundje më të buta në krahasim me ata që nuk ishin të vaksinuar. /Gazeta Shneta/