Gruaja e fundit e njohur në Shtetet e Bashkuara, e cila ishte prekur nga poliomieliti në fëmijëri dhe jetonte falë një pajisjeje mekanike të frymëmarrjes, të njohur si ‘mushkëria e hekurt’, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.
Martha Lillard nga Oklahoma u infektua me poliomielit në moshën pesëvjeçare dhe kaloi pjesën më të madhe të jetës duke fjetur në një ‘mushkëri të hekurt’ – një pajisje cilindrike metalike që ndihmonte frymëmarrjen duke ndryshuar presionin e ajrit dhe duke lehtësuar hyrjen dhe daljen e ajrit nga mushkëritë. Sipas njoftimit të familjes, ajo vdiq më 26 qershor, shkruan The Guardian.
Pavarësisht sfidave të mëdha shëndetësore, Lillard ndoqi mësimin në shkollë për rreth dy orë në ditë, ndërsa pjesën tjetër të arsimit e përfundoi me ndihmën e mësuesve privatë.
“Mjekët i kishin thënë se nuk do të jetonte përtej moshës 20-vjeçare, por ajo kishte vullnet dhe dëshirë të jashtëzakonshme për të jetuar dhe për ta shijuar jetën sa më shumë,” tha motra e saj, Cindy McVey, për Associated Press.
Sipas saj, pasojat afatgjata të infeksionit me COVID-19 mund të kenë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së Lillard. Certifikata e vdekjes përmend si shkaqe dështimin kronik pulmonar dhe sindromën post-polio, transmeton Gazeta Shneta.
Në një intervistë për NBC News në vitin 2013, Lillard e përshkroi momentin kur u vendos për herë të parë në mushkërinë e hekurt si “një lehtësim”, duke thënë se pajisja bënte një ndryshim të jashtëzakonshëm kur nuk arrinte të merrte frymë vetë.
Vdekja e saj vjen dy vjet pas ndarjes nga jeta të Paul Alexander, i cili gjithashtu jetoi për dekada në një mushkëri të hekurt pasi u paralizua nga poliomieliti. Ai u bë një figurë frymëzuese, duke përfunduar studimet për drejtësi, duke botuar një autobiografi dhe duke krijuar piktura me një penel të mbajtur në gojë.
Përpara se vaksina kundër poliomielitit të ishte gjerësisht e disponueshme, kjo sëmundje ishte ndër më të frikshmet në SHBA, duke lënë çdo vit mijëra persona të paralizuar, kryesisht fëmijë.
Mushkëritë e hekurta shpëtuan mijëra jetë gjatë atyre epidemive, por me zgjerimin e vaksinimit në fund të viteve 1950 ato u zëvendësuan gradualisht nga pajisje moderne të frymëmarrjes. Falë vaksinimit masiv, poliomieliti u eliminua si sëmundje me përhapje të vazhdueshme në SHBA në vitin 1979. /Gazeta Shneta/



