Buxheti i ndarë për shëndetësi në Kosovë është rreth 220 milionë euro. Megjithatë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si institucion terciar që ofron shërbime shëndetësore për tërë Kosovës, nga kjo shumë merr buxhet vjetor rreth 120 milionë euro.
Me gjithë këto mjete, ky buxhet, thuhet se nuk është i mjaftueshëm. Kjo për shkak se asnjëherë në këto dy dekadat e fundit në Kosovë, nuk është arritur që lista esenciale me barna të përmbushet 100 për qind.
Ndonëse është diskutuar se çdo klinikë do ta ketë buxhetin e vet dhe ta menaxhojë në bazë të nevojave që ka, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Xhevdet Gojnovci, drejtor i Klinikës së Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se po ta kishte çdo klinikë buxhetin e vet, kjo do tu ndihmonte në menaxhim, qoftë në punësim të stafit, blerje të barnave.
Megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur, thekson ai. Buxhetin e menaxhon drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, duke përmbushur me aq sa ka mjete klinikat me barna e material shpenzues, në bazë të kërkesave të menaxherëve të secilës klinikë.
Por, ndonëse kërkesat për furnizim janë bërë në dhjetor të vitit të kaluar nga klinikat, furnizimi me barna ende nuk është bërë.
Si rrjedhojë, në Klinikën Neonatologjike të Qendrës Klinike ka mungesë të barnave dhe materialit shpenzues, thotë drejtori Gojnovci.
“Menaxhimi i buxhetit do të ishte më i lehtë edhe për punësim të stafit edhe për të gjitha nevojat nëse klinika do ta kishte buxhetin e vet. Megjithatë ne nuk kemi buxhet të klinikës, por gjithçka është e varur nga mekanizmat që financojnë Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK). Ne në klinikë nuk kemi kompetenca financiare. Kërkesat që i bëjmë për furnizim, i bëjmë përmes drejtorisë së SHSKUK-së”.
“Sa u përket barnave dhe materialit shpenzues, vërehen mungesa. Kërkesën e kemi bërë në fund të vitit 2018, dhe po presim furnizim. Ndërkaq sa i përket aparaturës, jemi mirë të furnizuar, pasi që na ndihmojnë edhe përmes donacioneve”, tha Gojnovci.
Në anën tjetër drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti tha se buxheti total për shëndetësinë është rreth 220 milionë euro, duke hyrë edhe buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë e që është 40 milion euro, dhe 60 milion euro si grante nga Qeveria që shkojnë nëpër komuna.
Megjithatë ai shton se buxheti për shëndetësinë ka qenë gjithmonë shqetësim pasi nuk i ka përmbushur nevojat, por megjithatë, siç thotë Hoti, vit pas viti po shënon ngritje.