Gazetarja Jehona Zhitia përmes një nisme “Më jep shpresë, që të kem krahë” ka shpërndarë rreth 300 dhurata për gratë e prekura nga kanceri i gjirit të cilat po trajtohen në Klinikën e Onkologjisë në QKUK si dhe për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë.
“Duke u dhuruar momente gëzimi mbi 300 grave që jeta po i sfidon me sëmundjen e kancerit të gjirit, kjo nismë kishte për qëllim t’ua zgjasë dorën 300 grave të tjera, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke u ndihmuar financiarisht përmes blerjes së mbi 300 punimeve të tyre artizanale, ku secila përmban histori të trishtë në vete”, ka shkruar Zhitia.
Postimi i saj i plotë:
E lumtur që në prag të festave të fundvitit, në Institutin Onkologjik në QKUK, përmes nismës “Më jep shpresë, që të kem krahë”, u shpërndanë rreth 300 pako me dhurata për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.
E veçanta e këtij aktiviteti ishte se përfituan dy kategori shumë të ndjeshme të shoqërisë në Kosovë. Duke u dhuruar momente gëzimi mbi 300 grave që jeta po i sfidon me sëmundjen e kancerit të gjirit, kjo nismë kishte për qëllim t’ua zgjasë dorën 300 grave të tjera, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke u ndihmuar financiarisht përmes blerjes së mbi 300 punimeve të tyre artizanale, ku secila përmban histori të trishtë në vete.
Mbi 300 punime dore, bashkë me mbi 300 mesazhe në një copë letër të shkruara nga po ato gra, të cilat duke treguar se nëpër çka kaluan, bëhen zë i shpresës, forcës e durimit për mbi 300 gra të tjera, të prekura nga kanceri i gjirit, që pranuan pakot në Institutin Onkologjik, brenda mureve të të cilit marrin terapi çdo ditë qindra sosh.
Çdo falenderim i atyre zonjave le të bëhet lutje për shpirtin e grave që humbën betejën me kancerin, në mesin e tyre edhe motra e bashkëshortit tim Naimja, e cila luftoj shumë me sëmundjen por nuk e fitoj atë. Ajo vdiç e re sepse diagnostikimi ishte i vonshëm.
Falenderoj zonjën Nafije Latifi nga “Jeta Vita” e cila ju bashkua kësaj nisme, pavarësisht obligimeve të saj private e profesionale. Kjo është shembulli më i mirë që duhet ndjekur çdo grua që sfidohet me sëmundjen. Asnjëherë dorëzim, por forcë e vullnet në rrugën për fitore.
Ju them faleninderit edhe donatorëve që jetësuan këtë ide duke e mbështetur financiarisht pa hezitim: Besim Shala që jeton në SHBA, mikja ime Lume Erona Osmanii nga Gjermania, Kujtim Pllana, Ahmetaj group dhe KEP.
Faleminderit edhe stafit të Klinikës Onkologjike që u qëndrojnë afër këtyre pacientëve çdo kohë.
Shëndet e dashni për të gjithë!
Gëzuar Vitin e Ri 2023!




