Departamenti i Shëndetit Publik të Meksikës, ka njoftuar të enjten se një shpërthim shqetësues i 61 rasteve të meningjitit në shtetin verior të Durangos këtë muaj ishte i lidhur me procedurat anestezike të përdorura në spitalet lokale.
Mbi dhjetëra njerëz kanë vdekur dhe një pjesë tjerë figurojnë në gjendje të rëndë për shkak të shpërthimit të meningjitit, shkruan Associated Press përcjell Gazeta Shneta.
“Kjo sëmundje nuk u transmetua nga personi në person,” tha departamenti në një deklaratë.
“Ky është një rast kur infeksioni është (përhapur) drejtpërdrejt në sistemin nervor qendror përmes procedurave anestezike.”
Departamenti fajësoi kontaminimin, por mes tjerash tha se ishte shumë herët për të thënë nëse vetë ilaçi anestetik, ose mënyra se si u trajtuan pacientët, ishte fajtor për infeksionet.
“Do të ishte spekulim t’i atribuonim rastet shisheve të përdorura ose të ruajtura ose të aplikuara si anestetikë për pacientët,” tha Ndihmës Sekretari i Shëndetësisë, Hugo López-Gatell, duke shtuar se hetimet ishin duke u zhvilluar.
Shumica e të infektuarve ishin gra që i nënshtroheshin procedurave obstetrike. Të gjithë pacientët morën një lloj anestezie të njohur si bllokim kurrizor.
Ky ishte skandali më i fundit për sistemin e papajisur mjerisht të kujdesit shëndetësor publik të Meksikës, i cili gjithashtu ka pasur vështirësi të përsëritura në furnizimin me medikamente për fëmijët me kancer.
Në vitin 2020, 14 njerëz vdiqën pasi një spital i drejtuar nga kompania shtetërore e naftës në Meksikë u dha një ilaç pacientëve në dializë që ishte i kontaminuar me baktere. Më shumë se 69 pacientë u sëmurën në atë shpërthim. /Gazeta Shneta/