Një studim i madh në Spanjë, i realizuar me mbi 4,000 pjesëmarrës, ka zbuluar se menstruacionet vazhdojnë të jenë temë tabu – sidomos te të rinjtë.
Hulumtimi u udhëhoq nga Instituti INGENIO (CSIC-UPV) dhe u publikua në International Journal for Equity in Health.
Sipas të dhënave, 4 në 10 persona mendojnë se periudha menstruale ende stigmatizohet, ndërsa vetëm 60% e të anketuarve e shohin atë si një pjesë normale të jetës, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Ndërkohë, gratë post-menopauzë raportojnë më shumë pranueshmëri sociale, por gjeneratat e reja vazhdojnë ta përjetojnë menstruacionin si temë të ndjeshme dhe të paragjykuar.
Përvoja e menstruacionit të parë (menarkës) doli të jetë moment kyç. Shumë vajza e kanë lidhur menarkën me ndjesi pasigurie, seksualizim dhe pritshmëri të reja sociale.
Studiuesja Rocío Poveda thekson se kjo përvojë shpesh shoqërohet me kufizime dhe paragjykime që ndikojnë në vetë-perceptim.
Studimi thekson se vajzat që kanë marrë informacione të qarta dhe praktike për menstruacionet që në fillim, ndihen më të rehatshme ta diskutojnë këtë temë në familje, shkollë dhe ambiente të tjera. Po ashtu, kur gratë flasin edhe me meshkuj për menstruacionet, tema normalizohet më shumë, duke thyer heshtjen gjinore rreth kësaj çështjeje.
Mungesa e menstruacioneve në media:
– 79% e të anketuarve thonë se periudha menstruale pothuajse nuk paraqitet në filma dhe seri.
– 73% raportojnë të njëjtën gjë për librat.
– Reklamat kritikohen për paraqitje të rreme, me “glitter”, lëngje blu dhe imazhe që nuk pasqyrojnë realitetin.
Sipas studiuesve, kjo përfaqësim i shtrembëruar e bën menstruacionin të duket si diçka që duhet fshehur ose zbukuruar, dhe jo si proces natyral biologjik.
Stigma, sipas studimit, ka pasoja në vetëbesim, mirëqenie emocionale dhe informim. Në një studim të mëparshëm, vetëm 5% e të rinjve thanë se kishin marrë mësime praktike në shkollë për menaxhimin e gjakderdhjes.
Ekspertët theksojnë se tabut rreth menstruacioneve:
– pengon debatet publike dhe politike,
– ngadalëson qasjen në produkte menstruale,
– krijon vonesa në diagnoza mjekësore,
– dhe mban gjallë mite të rreme për shkak të mungesës së informacionit.
Studimi nënvizon se normalizimi i menstruacioneve është hap thelbësor për barazinë gjinore dhe mirëqenien e grave.


