Drejtori i Klinikës së Ortopedisë Xhavid Gashi ka thënë se mikroskopi i blerë nga SHSKUK është i domosdoshëm për operacionet në këtë klinikë.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës bleu një mikroskop me vlerë 468 mijë Euro për Klinikën e Ortopedisë në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Kontrata për këtë pajisje iu dha kompanisë “KEIS (KOSOVA EX.IMP.SUPPLY PHARMACEUT) SH.P.K”.
Gazeta e ka pyetur drejtorin e Klinikës së Ortopedisë Xhavid Gashi se për çfarë nevojitet ky mikroskop në Ortopedi. Gashi ka thënë se pajisja është e domosdoshme për disa lloje të operacioneve.
“Klinika e Ortopedisë posedon një mikroskop prej vitit 2013, me të cilin janë kryer të gjitha operacionet në boshtin kurrizor, përfshirë: traumën, sëmundjet degjenerative, tumoret dhe infeksionet e boshtit kurrizor dhe mikroskopi përdoret në mënyrë rutinore tek këto ndërhyrje”, ka thënë Gashi.
“Është e domosdoshme që të ecim në hap me kohën, sepse mikroskopi ekzistues është i vjetër dhe manual dhe shumë herë shfaqen edhe defekte, prandaj është esenciale që të pajisemi me një mikroskop modern, i cili mundëson përformancë më të mirë nga stafi dhe rezultat më të mirë për pacientin”, ka shtuar ai.
Gashi ka thënë se planifikojnë gjithashtu që të zgjerohen llojet e operacioneve në shtyllën kurrizore, sidomos deformitetet e shtyllës kurrizore, që krahas mikroskopit duhet të planifikohet edhe neuronavigacioni, CT intraoperative (O arm) dhe robotika.
Ai ka thënë se për përdorimin e këtyre pajisjeve kanë staf të trajnuar jashtë vendit. /Gazeta Shneta/




