Evropianët po e shtyjnë gjithnjë e më shumë momentin për të pasur fëmijë, dhe ekspertët thonë se kjo prirje nuk pritet të ndalet së shpejti. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare, gratë në Bashkimin Evropian bëhen nëna për herë të parë mesatarisht në moshën 29.8 vjeç, rreth një vit më vonë krahasuar me një dekadë më parë.
Dallimet mes vendeve janë të mëdha. Mosha mesatare e lindjes së parë varion nga 24.7 vjeç në Moldavi deri në 31.8 vjeç në Itali, që është ndër vendet ku gratë presin më gjatë për t’u bërë nëna, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, shtyrja e prindërimit nuk do të thotë domosdoshmërisht se njerëzit nuk duan të kenë fëmijë. Në disa vende ku lindjet ndodhin më vonë, si Danimarka, Gjermania, Irlanda, Holanda, Portugalia dhe Suedia, niveli i lindshmërisë mbetet relativisht më i lartë.
Sipas demografes Ester Lazzari nga Universiteti i Vjenës, ndryshimi lidhet kryesisht me kohën kur njerëzit vendosin të kenë fëmijë, jo me dëshirën për t’i pasur ata.
Shumë evropianë duan fillimisht të përfundojnë studimet, të arrijnë stabilitet financiar dhe të krijojnë një marrëdhënie të qëndrueshme para se të bëhen prindër.
Të dhënat tregojnë se në Evropën Lindore dhe Qendrore gratë zakonisht bëhen nëna në mesin ose fundin e të njëzetave, ndërsa në Evropën Perëndimore dhe Jugore shpesh presin deri në fillim të të tridhjetave.
Megjithatë, tendenca e shtyrjes së lindjes së fëmijëve është e pranishme në pothuajse gjithë kontinentin.
Ky ndryshim mund të ketë edhe pasoja shëndetësore. Shtyrja e prindërimit rrit rrezikun e problemeve me fertilitetin, çka ka çuar në rritjen e trajtimeve për fertilitet në Evropë.
Vetëm në vitin 2021 u kryen mbi 1.1 milion cikle trajtimi në rreth 1,400 klinika. Megjithatë, këto trajtime shpesh janë të kushtueshme dhe jo gjithmonë të qasshme për të gjithë. /Gazeta Shneta/


