Mjekët japin rekomandimet si duhet të mbroheni nga gripi sezonal

2018-01-12 në ora 09:08

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dhënë detaje lidhur me raportimet për gripin sezonal në Kosovë, ku janë paraqitur mbi 15 mijë raste brenda tre muajsh.

Mjekët e Institutit kanë dhënë edhe rekomandimet se si duhet parandaluar gripi sezonal. Mbrojtja më e mirë është vaksinimi dhe kjo duhet të bëhet sidomos tek fëmijët mbi 6 muaj dhe gratë shtatzëna, transmeton Gazeta Shneta.

Lexoni më poshtë rekomandimet:

Si të mbrohemi nga Gripi sezonal

Gripi sezonal

Gripi sezonal është një infeksion akut viral. Transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri përmes stërpiklave gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe ne menyre indirekt me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit sezonal.

Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët?

Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët, 1 ditë para se të sëmuret dhe 5 ditë pas shenjave të gripit. Tek fëmijët, apo personat me imunitet të ulur, periudha e infektimit mund të jetë pak më e gjatë.

Kush rrezikohet nga gripi sezonal?

Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit sezonal dhe ta përhapë atë tek të tjerët. Por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit sezonal si:

Fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, sidomos deri në 2 vjeç

Njerëzit 65 vjeç e sipër

Gratë shtatëzëna.

Njerëzit me sëmundje kronike.

Shenjat e zakonshme të gripit sezonal janë:

Temperaturë e lartë

Kollë

Dhimbje fyti

Lodhje

Dhimbje koke

Diarre dhe vjellje

Dhimbje barku

Rrjedhje të hundëve

Dhimbje muskujsh

Shenjat paralajmëruese për emergjencë.

Duhet të dini se sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë POR drejtohuni menjëherë tek mjeku nëse:

Fëmijët shfaqin:

Frymëmarrje te shpejtë, ose probleme me frymëmarrjen

Ndryshim të ngjyrës së lëkurës

Nuk konsumojnë mjaftueshëme lëngje

Kanë ethe me një skuqje të lëkurës

Fortësim te qafës

Të rriturit shfaqin:

Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim

Dhimbje apo presion në gjoks apo bark

Marramendje të papritur

Konfuzion mendor

Të vjella të vazhdueshme

Si të mbrohemi nga virusi i gripit sezonal?

Ju rekomandojmë tre hapa për të luftuar gripin: vaksinimin, masat e përditshme parandaluese, dhe trajtimi me barna antivirale nëse mjeku i rekomandon.

Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjen se gripit.

Vaksinimi kundër gripit bëhet në muajt tetor – dhjetor.

Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes

vaksina aplikohet në pjesën e sipërme të krahut.

Vaksina kundër virusit të gripit i rekomandohet sidomos :

Fëmijëve mbi 6 muaj

Personave mbi 50 vjeç

Personave me rrezik më të lartë

Personelit shëndetësor

Grave shtatëzëna

Personat kujdestarë si edukatoret e çerdheve, kopshteve, kujdestarët e te moshuarëve.

Vaksina kundër virusit të gripit nuk i rekomandohet :

Personave që kanë alergji në vezë

Gjendje akute me temperaturë

Fëmijët nën 6 muaj

II Masat e përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal

Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me faculetë.

Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni desinfektues.

Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës.

Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë.

Ushqehuni shëndetshëm

Bëni aktivitet fizik

Bëni gjumë të mjaftueshëm.

Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit Barnat kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, por mjekues. Ato përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhen të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes.

Kujdes, antiviralët jepen vetëm me rekomandimin e mjekut

Nëse jeni të sëmurë me grip :

Qëndroni në shtëpi.

Qëndroni veç nga të tjerët

Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë

Mbuloni gojën dhe hundën me faculetë kur kolliteni apo teshtini

Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtimi

Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj

Evitoni kontaktet me njerëzit