Mjekët endokrinologë në Suedi po paralajmërojnë prindërit se kremrat dhe xhelet hormonale që ata i përdorin mund të kalojnë te fëmijët përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëkurën.
Të paktën dhjetëra fëmijë në Suedi kanë zhvilluar ndryshime fizike të papritura pas ekspozimit të pavetëdijshëm ndaj hormoneve që përdoren nga prindërit e tyre, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Në një rast, një vajzë 10 muajshe zhvilloi një klitor të zmadhuar që ngjante me një mikropenis pasi qëndroi në gjoksin e babait të saj që përdorte xhel testosteroni. Ndërkohë, një djalë 10-vjeçar filloi të zhvillonte gjinj pas ekspozimit ndaj trajtimit hormonal të nënës së tij.
Mjekët në Spitalin Universitar “Sahlgrenska” në Göteborg i kanë kërkuar prindërve të shmangin kontaktin me fëmijët menjëherë pas aplikimit të trajtimeve. Sipas Dr. Jovanna Dahlgren, lëkura e bebeve është shumë thithëse dhe ekspozimi ndaj hormoneve mund të shkaktojë pasoja afatgjata.
Si alternativa, ajo sugjeron injeksione të rralla për testosteronin dhe përdorimin e tabletave ose ngjitëseve në vend të sprejve me estrogjen. Gjithashtu, rekomandohet aplikimi në zona që nuk preken nga fëmijët, si kofshët e brendshme ose shpina.
Sipas Agjencisë Suedeze të Barnave, janë raportuar 12 raste të ekspozimit të padëshiruar që nga viti 2019. Megjithatë, Dr. Dahlgren beson se numri real është shumë më i lartë, pasi shumë raste nuk raportohen. Edhe në vende të tjera evropiane, si Gjermania, Franca dhe Uellsi, janë dokumentuar raste të ngjashme.
Ekspozimi i përsëritur ndaj hormoneve mund të shkaktojë ndryshime të përhershme në trupin e fëmijëve, përfshirë çrregullime në rritjen e kockave dhe zhvillimin seksual të parakohshëm. /Gazeta Shneta/


