Një studim i ri ka zbuluar se gratë që mbeten shtatzënë pas trajtimit për kancer të gjirit nuk përballen me një rrezik më të lartë të rikthimit të sëmundjes.
Studimi përfshiu 1,207 gra nën moshën 50 vjeç, të cilave u ishte diagnostikuar kancer i gjirit që nuk ishte përhapur në pjesë të tjera të trupit. Pas një ndjekjeje 10-vjeçare, autorët theksuan se shtatzënia nuk duhet të dekurajohet, përfshirë edhe për gratë me kancer të gjirit ER-pozitiv, shkruan burimi Medical Xpress transmeton Gazeta Shneta.
“Shtatzënia mund të jetë madje një faktor mbrojtës për pacientet me kancer ER-negativ, ndoshta përmes ndikimit të sistemit imunitar ose ndryshimeve hormonale,” tha autori kryesor i studimit, Dr. Matteo Lambertini nga Instituti Jules Bordet në Bruksel.
Kanceri i gjirit mbetet lloji më i shpeshtë i kancerit tek gratë në moshë riprodhuese. Megjithëse rreth gjysma e grave të reja të diagnostikuara shprehin dëshirë për të pasur fëmijë, më pak se 10 për qind mbeten realisht shtatzënë pas trajtimit. Shumica e pjesëmarrëseve në studim (57%) kishin kancer të receptorit të estrogjenit pozitiv, një formë që ushqehet nga ky hormon.
Gjithsej 333 gra mbetën shtatzënë brenda një periudhe mesatare prej 2.4 vjetësh nga diagnoza. Rezultatet e këtij studimi japin shpresë për gratë e reja që dëshirojnë të bëhen nëna pas përballjes me kancerin. /Gazeta Shneta/


