Tashmë janë bërë më shumë se një javë, qëkur Ariola Maliqi, nuk është duke përdorur insulinë, vajza nga Gjilani vuan nga sëmundja e diabetit, derisa është duke marrë një terapi nga ‘’mjeku alternativ’’, Hetem Ramadani.
Edhe përse dhjetëvjeçarja po ndihet mirë me shëndet, mjekët e QKUK-së veprimin e profesorit Ramadani po e quajnë mjaft të vështirë për tu realizuar, derisa babai i Ariolës thotë se ia pa hairin përshkrimit të ‘’mjekut alternativ’’.
Në vend të insulinës, Ariola po përdor ushqim të shëndetshëm dhe të freskët, duke mos e përdorur terapinë e shkuar nga mjekët e kësaj terapie mjekësore.
Ajo merrte rreth 30 njësi në ditë, por shujtat e përshkuara nga fizikani Ramadani po duket se po rezultojnë me mjaft sukses.
Të paktën kështu thotë babai i Ariolës, Emrushi, i cili të enjten ka thënë se vajza e tij është shumë mirë me shëndet. Ai thotë se vlera e sheqerit në mëngjesin e sotëm në trupin e Ariolës ka qenë 4,5 shkallë.
“Për momentin vajza është duke i përdorur ato terapi pa ndonjë problem. Mirë është me shëndet. Insulinën ende e ka ndalë. Nuk ka asnjë shqetësim tjetër, as marramendje e as asgjë tjetër. Edhe dje i kemi ba analizat, mirë kanë dalë. Ushqimin e ka ndërru komplet. Krejt ushqimet janë bimore”, thotë Emrush Maliqi, shkruan GazetaExpress.
Ai më tej sqaron se vajza e tij është duke përdorur vetëm ushqime të freskëta, duke përfshirë këtu, pemë dhe perime.
“Të gjitha ushqimet që na i ka rekomandua profesori gjenden në barnatore. Vajza po shkon në shkollë si dhe të gjitha gjërat po i kryen si më parë. 4.5 vlera e sheqerit”.
Në anën tjetër mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës pajtohen në disa pika me udhëzimet e fizikanit Hetem Ramadani, por kanë dilema në atë se insulina duhet ndalur plotësisht.
Kështu, endokrinologia e QKUK-së, Merita Emini- Sadiku, e cila po ashtu është edhe interniste si dhe diabetologe, sqaron më shumë rreth sëmundjes së sheqerit dhe mënyrës së trajtimit të saj.
Ajo thotë se në fazat e para të sëmundjes ka mundësi që personi që bart diabetin të trajtohet edhe pa barna apo edhe pa insulinë.
Derisa tek rasti i Ariolës, doktoresha tregon se ekziston mundësia që me trajtim të shëndetshëm të ulen dozat e insulinës.
“Vajza e vogël sigurisht është tip 1, ka mungesë të sekretimit të insulinës dhe nëse kjo paciente është në fillimin e sëmundjes së saj, atëherë ekziston mundësia që me trajtim të shëndetshëm të ulen dozat e nevojshme të insulinës që i ka pasë, dozat të jenë më të pakta me trajtua sëmundjen, kjo konsiston në ushqimet e shëndetshme që nuk e rritin nivelin e glukozës në gjak”, sqaron endokrinologia Emini-Sadiku.
Por ajo thotë se është vështirë e besueshme në bazë të mjekësisë që këtij pacienti t’i largohet përdorimi i tërësishëm i insulinës.
“…mirëpo që të themi se nuk e ka fare të nevojshme që gjatë tërë jetës ta përdorë, s’mund ta themi një definicion të tillë se bazuar në evidenca ende nuk ka arritë me vërtetu se një pacient e ka ndërprerë komplet insulinën”, thotë ajo.
Derisa, ajo nuk i ka miratuar apo kontestuar deklaratat e fizikanit Ramadani.
“Mua po më pëlqen që ka fillua me fol për ushqimet e shëndetshme. Mirëpo, për ndërprerjen e insulinës ne kemi rezerva. Nuk janë të gjithë pacientët njësoj dhe ndalimi i tërësishëm i insulinës shpesh herë është i rrezikshëm”, ka sqaruar tutje diabetologia dhe endokrinologia e QKUK-së, Merita Emini-Sadiku.
Studiuesi i fizikës kuantike, Hetem Ramadani, kishte thënë në një intervistë për T7 se rasti i Ariolës është ndër të parët në historinë botërore kur një pacienti i është ndaluar përdorimi i tërësishëm i insulinës.
“Është rasti i parë në historinë botërore që jeton pa insulinë”, kishte thënë ndër të tjera Ramadani.