Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Mjeku i javës: Dr. Afërdita Latifi flet për çrregullimet psikiatrike organike

Mjeku i javës 19/05/2026
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Gjatë praktikës klinike të përditshme si profesionistë të shëndetit mendor, në ambulancat specialistike, emergjencë, si dhe në repartet kirurgjikale, internistike, pulmologjike dhe infektive, hasen shpesh çrregullime psikiatrike organike, të cilat janë çrregullime që rrjedhin nga disfunksioni i trurit i shkaktuar nga patologji organike brenda ose jashtë tij.

Këto çrregullime mund të shfaqen si pasojë e sëmundjeve strukturore të trurit si tumoret, dëmtimet apo degjenerimet cerebrale, epilepsia, por edhe nga gjendje sistemike që ndikojnë në funksionin e trurit si anoreksia, insuficienca kardiake apo renale.

Këtë javë në kuadër të rubrikës ” Mjeku i Javës” kemi Dr. Afërdita Latifi, specialiste e psikiatrisë në Spitalin e Gjilanit, ku flet për klasifikimin, simptomat, shkaqet dhe trajtimin e këtyre çrregullimeve.

Intervista e plotë:

Shneta: Si i klasifikoni këto sëmundje?

Dr. Latifi: Deliriumi dhe demenca janë format kryesore të çrregullimeve psikiatrike organike. Sindromat mund të jenë akute, ku përfshihet deliriumi, dhe kronike, ku përfshihen demenca, sindroma amnestike, çrregullimet e humorit organik, gjendjet deluzionale organike dhe çrregullimet e personalitetit organik, ndërsa në këtë intervistë fokusi kryesor është te deliriumi dhe demenca.

 Me çfarë simptomash karakterizohet deliriumi?

Dr. Latifi: Deliriumi është një çrregullim akut i funksionit të trurit, ku tipari kryesor është dëmtimi i vetëdijes. Pacienti paraqitet i disorientuar në kohë, vend dhe persona, ka vështirësi në përqendrim dhe përgjigjet ngadalë, ndërsa gjendja shpesh përkeqësohet në orët e mbrëmjes. Ai mund të shfaqë sjellje hiperaktive ose të ulët, ankth, irritim, depresion apo hutim, si dhe çrregullime të të menduarit me ide deluzionale dhe halucinacione, ndërsa kujtesa gjithashtu është e dëmtuar.

 Cilat janë shkaqet e deliriumit?

Dr. Latifi: Shkaqet më të shpeshta përfshijnë intoksikimet me barna, abstinencën nga alkooli, insuficiencën metabolike si ajo kardiake, respiratore, renale apo hepatike, hipoglikeminë, infeksionet sistemike me temperaturë të lartë, si dhe shkaqe neurologjike si encefaliti, lezionet intrakraniale, rritja e presionit intrakranial dhe gjendjet pas krizave epileptike.

 Si trajtohet deliriumi?

Dr. Latifi: Trajtimi fokusohet kryesisht në shkakun fizik që e ka shkaktuar gjendjen, ndërsa barnat përdoren për kontrollimin e simptomave derisa pacienti të stabilizohet. Pacientët kanë nevojë për orientim dhe siguri të vazhdueshme, në ambient të qetë dhe të ndriçuar mirë, sidomos në mbrëmje, ndërsa përdoren antipsikotikë si haloperidoli dhe në raste të caktuara benzodiazepina gjatë natës, duke shmangur përdorimin e tyre gjatë ditës pasi mund të rrisin disorientimin.

Si ndryshon demenca nga deliriumi?

Dr. Latifi: Demenca është një dëmtim kronik dhe progresiv i funksioneve intelektuale, kujtesës dhe personalitetit, pa dëmtim të vetëdijes, dhe në shumicën e rasteve është e parikthyeshme. Ajo karakterizohet nga humbje e kujtesës, vështirësi në vëmendje, çrregullime të të folurit, njohjes dhe kryerjes së veprimeve, si dhe ndryshime në sjellje, duke përfshirë agresivitetin, shfrenimin, ankthin dhe depresionin. Me përparimin e sëmundjes shfaqen deluzione, halucinacione dhe dëmtim i gjykimit, ndërsa në raste të rënda mund të shfaqen disorientim dhe inkontinencë.

Cilat janë shkaqet e demencës?

Dr. Latifi: Demenca ka shumë shkaqe, ku te të moshuarit dominojnë sëmundjet degjenerative si Alzheimer, Pick, Parkinson, Huntington, hidrocefalia dhe Creutzfeldt-Jakob, si dhe shkaqe vaskulare. Po ashtu përfshihen tumoret, hematomat subdurale kronike, traumat e kokës, infeksionet si sifilisi dhe post-encefaliti, demenca multi-infarkte, stenoza e arteries karotide, toksiciteti nga alkooli, anoksia pas arrestit kardiak apo helmimit me CO, si dhe mungesa e vitaminave B12, acidit folik dhe tiaminës.

Si menaxhohet demenca?

Dr. Latifi: Menaxhimi i demencës ka për qëllim uljen e paaftësisë dhe ofrimin e përkrahjes së vazhdueshme për pacientin, kryesisht në komunitet dhe me familjarët. Qëllimi është ruajtja e aftësive ekzistuese, lehtësimi i simptomave dhe ndihma në aktivitetet e përditshme si ushqimi dhe veshmbathja, si dhe përkrahja e familjes. Nuk ka trajtim kurativ specifik, ndërsa benzodiazepinat duhet shmangur për shkak të konfuzionit dhe varësisë, antipsikotikët përdoren me doza të ulëta në rast deluzionesh apo halucinacionesh, ndërsa antidepresivët mund të ndihmojnë në rastet me depresion.

 Cilat ekzaminime kërkohen për diagnozë?

Dr. Latifi: Diagnoza vendoset përmes anamnezës dhe heteroanamnezës nga familjarët, ekzaminimit të statusit mendor, analizave laboratorike dhe ekzaminimeve neurologjike, si dhe metodave imazherike si CT, MRI apo PET scan. Po ashtu ndihmojnë testet psikologjike si WAIS, i cili vlerëson aftësitë verbale dhe joverbale.

 Cilat janë rekomandimet për familjarët?

Familjarëve u rekomandohet përkrahje e vazhdueshme për pacientin, komunikim i shpeshtë me gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme, biseda të ngadalta dhe me një temë në një herë, mbajtja e kontaktit me sy, si dhe përfshirja në aktivitete fizike dhe sociale sipas gjendjes së pacientit. Gjithashtu rekomandohet krijimi i një rutine të rregullt të gjumit dhe ambienti i qetë pa zhurmë.

Artikulli paraprakSot shënohet Dita Botërore e Mjekut Familjar
Artikulli i rradhës Rritet numri i lindjeve në Kosovë gjatë muajit mars

Ju sugjerojmë

Mjeku i Javës – Dr. Valon Hamza: Si ndikojnë temperaturat e larta në sistemin tretës

16/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës – Dr. Ramadan Halimi: Kur ankthi maskohet si sëmundje – simptomat që ngatërrojnë pacientët

06/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Zarife Rexha flet për rrezikun nga temperaturat e larta për pacientët me sëmundje kardiovaskulare

29/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Albana Bislimi Krasniqi flet për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe sfidat e furnizimit me gjak në Kosovë

22/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Rreze Serhati-Morina flet për sëmundjet e tiroides, simptomat dhe rëndësinë e diagnostikimit në kohë

15/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës – Dr. Osman Ramadani: Sëmundjet kardiovaskulare, faktorët e rrezikut dhe rëndësia e parandalimit.

08/06/2026 Mjeku i javës
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.