Në rubrikën “Mjeku i Javës” në Gazetën Shneta kësaj radhe vjen Dr. Amir Rexhepi-Specialist i Endokrinologjisë, i cili na flet më shumë për diabetin te gratë shtatzëna, pasojat dhe parandalimi.
Dr. Amir Rexhepi është specialist i Endokrinologjisë. Në vitin 2004 regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë – drejtimi Mjekësi e Përgjithshme. Në vitin 2008 regjistroi studimet edhe në Fakultetin e Agroekonomisë, duke vijuar njëkohësisht studimet edhe në Fakultetin e Mjekësisë. Studimet i mbaroi në të dy fakultetet në vitin 2011. Për disa vite ka ligjëruar lëndët mjekësore në shkollën të mesme. Në vitin 2014 fitoi të drejtën për specializim në fushën e Endokrinologjisë në SHSKUK-Prishtinë dhe më 2019 fiton titullin -Specialist i Endokrinologjisë. Po në vitin 2019 është i punësuar si specialist i endokrinologjisë në Klinikën e Endokrinologjisë QKUK- Prishtinë.
Cilat janë format e diabetit që mund të paraqiten gjatë shtatzënisë?
Dr Rexhepi: Diabeti gestacional është forma më e zakonshme e diabetit që shfaqet gjatë shtatzënisë. Por, mund të ndodhë që gjatë shtatzënisë të ketë raste edhe me diabet paraekzistues, duke përfshirë qoftë diabetin e tipit 1 apo tipit 2.
Të sqarojmë se diabeti gestacional është një lloj i diabetit që zhvillohet gjatë shtatzënisë. Zakonisht shfaqet në tremujorin e dytë ose të tretë dhe karakterizohet nga nivele të larta të sheqerit në gjak që mund të prekin nënën por edhe fetusin. Dhe ndryshe nga diabeti para-ekzistues, diabeti gestacional zakonisht zhduket pas lindjes së fëmijës, por rrit rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 më vonë gjatë jetës si për nënën ashtu edhe për fëmijën.
Cilat gra janë më të rrezikuarat?
Dr. Rexhepi: Gratë që janë më të rrezikuara nga diabeti gestacional përfshijnë: gratë me mbipeshë ose obeze, prani të historisë familjare të diabetit, prania e diabetit gestacional në një shtatzëni të mëparshme, të qenit më e vjetër se 25 vjeç, prania e PCOS (sindromës së ovareve policistike), dhe gratë me prediabet.
Është e rëndësishme të theksohet se ndërsa këta faktorë të lartcekur e rrisin rrezikun e diabetit gestacional, çdo grua shtatzënë mund ta zhvillojë atë, kështu që të gjitha gratë shtatzëna duhet të kontrollohen për diabetin gestacional si pjesë e kujdesit rutinë para lindjes.
Si mund ta kuptoj një grua shtatzënë që vuan nga diabeti?
Dr. Rexhepi: Që një grua shtatzënë ta kuptojë se vuan nga diabeti mund të kërkojë:ndërgjegjësimi apo njohja e shenjave dhe simptomeve më të zakonshme të diabetit, si dhe hulumtimet gjatë kontrolleve të rregullta të cilat përcillen nga profesionistët e kujdesit shëndetësor gjatë kujdesit para lindjes.
Sa i përket simptomeve, disa gra me diabet gestacional mund të mos përjetojnë simptoma të dukshme, të tjerat mund të shfaqin shenja të tilla si etje e shtuar, urinim i shpeshtë, lodhje, shikimi i paqartë ose infeksione të përsëritura. Megjithatë, këto simptoma mund të jenë të zakonshme edhe gjatë shtatzënisë normale, kështu që ato nuk mund të tregojnë gjithmonë diabetin gestacional.
Gjatë ekzaminimeve fizike, mund të konstatohet shtypja e lartë e gjakut, shtimi i tepërt i peshës ose shenjat e rezistencës ndaj insulinës. Ndërsa, në analizat rutinë do të kërkohen teste të matjes së glukozës në gjak qysh në vizitat e para te mjeku, dhe nëse rezultati është negativ, ritestimi bëhet zakonisht midis javës 24 dhe 28 të shtatzënisë. E rëndësishme është po ashtu historia mjekësore, ku gratë me një histori të diabetit (tipi 1, tipi 2 ose gestacional të mëparshëm) ose me faktorë rreziku si obeziteti, mosha më e madhe, historia familjare e diabetit ose me sindromë të vezoreve policistike (PCOS) kanë më shumë gjasa të zhvillojnë diabet gestacional.
Si ndikon shfaqja e diabetit?
Dr. Rexhepi: Diabeti mund të prekë një grua shtatzënë në disa mënyra, veçanërisht nëse nuk menaxhohet mirë gjatë shtatzënisë. Në një gjendje të tillë rritet rreziku i komplikimeve të ndryshme për nënën, duke përfshirë:
a) Hipertensioni gestacional: shtypja e lartë e gjakut që zhvillohet gjatë shtatzënisë.
b) Preeklampsia: Një gjendje serioze e karakterizuar nga shtypja e lartë e gjakut dhe dëmtimit të organeve, të cilat mund të jenë kërcënuese për jetën nëse nuk trajtohen.
c) Rritja e rrezikut për lindje cezariane: Gratë me diabet mund të kenë gjasë më të lartë për lindje me prerje cezariane për shkak të komplikimeve të cilat mund të shfaqen gjatë lindjes.
d) Infeksionet e traktit urinar: diabeti mund të rrisë rrezikun e infeksioneve të traktit urinar gjatë shtatzënisë.
e) Polihidroamnioni: Lëngu amniotik i tepërt, i cili mund të çojë në lindje të parakohshme ose komplikime të tjera gjatë shtatzënisë.
Çka ndodh me fëmijën e gruas diabetike?
Dr Rexhepi: Diabeti gjatë shtatzënisë mund të ndikojë gjithashtu në shëndetin e foshnjës, duke çuar në:
a) Makrosomia: foshnjat mund të jenë më të mëdhenj se mesatarja, gjë që mund të rrisë rrezikun e lëndimeve dhe komplikimeve gjatë lindjes.
b) Hipoglikemia: foshnjat mund të kenë nivele të ulëta të sheqerit në gjak menjëherë pas lindjes, pasi trupat e tyre kanë prodhuar insulinë shtesë në përgjigje të niveleve të larta të sheqerit në gjak në mitër.
c) Sindroma e distresit respirator: foshnjat mund të kenë vështirësi në frymëmarrje për shkak të mushkërive imature, veçanërisht nëse lindin para kohe.
d) Verdhëza: foshnjat mund të kenë nivele më të larta të bilirubinës, duke çuar në verdhëz, një zverdhje e lëkurës dhe syve.
e) Rreziqet afatgjata për shëndetin: fëmijët e lindur nga nënat me diabet gestacional mund të kenë një rrezik më të lartë gjatë jetës për paraqitje të obezitetit dhe diabetit të tipit 2.
Çfarë duhet të ketë parasysh një grua për parandalimin e diabetit?
Dr. Rexhepi: Parandalimi i diabetit, veçanërisht diabetit gestacional gjatë shtatzënisë, përfshin adoptimin e një stili jetese të shëndetshëm dhe menaxhimin e faktorëve të rrezikut.
Ja disa pika kryesore:
a) Të synohet për një peshë të shëndetshme përpara shtatzënisë dhe po ashtu edhe gjatë gjithë shtatzënisë.
b) Përfshirja e një diete të pasur me fruta, perime, drithëra, proteina pa yndyrë dhe yndyrna të shëndetshme. Të kufizohet marrja e ushqimeve të përpunuara, ushqimeve me sheqer dhe pijeve me sheqer.
Në anën tjetër, të shmanget pirja e alkoolit dhe duhanit.
c) Angazhimi në aktivitete fizike të rregullta para dhe gjatë shtatzënisë, për të paktën 150 minuta ushtrime me intensitet të moderuar në javë.
d) Monitorimi i niveleve të sheqerit në gjak: kjo mund të ndihmojë në zbulimin dhe menaxhimin e hershëm të diabetit gestacional.
e) Kontrollet e rregullta para lindjes janë thelbësore për monitorimin e shëndetit të nënës dhe fetusit gjatë shtatzënisë.
f) Menaxhimi i stresit: pasiqë stresi kronik mund të ndikojë në nivelet e sheqerit në gjak dhe shëndetin e përgjithshëm.
Përfundimisht, është thelbësore që gratë shtatzëna me diabet të konsultohen vazhdimisht me ofruesit e kujdesit shëndetësor për ta menaxhuar gjendjen e tyre në mënyrë efektive dhe për të minimizuar rreziqet si për veten ashtu edhe për foshnjat e tyre. Kjo zakonisht përfshin monitorimin e niveleve të sheqerit në gjak, ndjekjen e një diete të shëndetshme dhe regjimin e ushtrimeve, marrjen e medikamenteve siç përshkruhen nga mjeku, dhe ndjekjen e kontrolleve të rregullta para lindjes.
/Gazeta Shneta/