Këtë javë në rubrikën “Mjeku i Javës”, kemi Dr. Ardiana Perjuci-Begolli endokrinologe në QKUK, e cila ka folur për sindromën e vezoreve policistike (PCOS) një nga çrregullimet hormonale më të shpeshta tek gratë.
Dr. Perjuci – Begolli thekson se PCOS prek 8 deri në 13% të grave, ndërsa faktorët kryesorë që ndikojnë janë gjenetika, mbipesha dhe rezistenca ndaj insulinës. Sipas saj, ndryshimet në stilin e jetesës dhe humbja e 5-10% të peshës trupore mund të përmirësojnë ndjeshëm ovulacionin dhe ekuilibrin hormonal.
Intervista e plotë:
Gazeta Shneta: Cilat janë shkaqet kryesore që çojnë në zhvillimin e vezoreve policistike?
Perjuci-Begolli: PCOS është një nga çrregullimet endokrine dhe metabolike më të shpeshta që hasen tek gratë e moshës riprodhuese duke prekur 8-13% të tyre dhe njëherit është shkaku më i shpeshtë i oligo-ovulacionit dhe anuvolacionit. Sindroma e vezoreve policistike është një çrregullim kompleks hormonal që lind nga bashkëveprimi i disa faktorëve, si hiperandrogjenizmi, rezistenca insulinike, disfunksioni i folikulogjenezës si pasojë e mosfunksionimit të boshtit hipotalamus-hipofiz-ovare, si dhe një prej faktorëve kryesor është stili i jetesës, dietat jo të shëndetshme dhe mbipesha.
Sa ndikojnë gjenetika dhe mënyra e jetesës në shfaqjen e këtij problemi?
Perjuci-Begolli: Gjenetika përcakton predispozicionin, pra disa gra lindin me një prirje më të madhe për PCOS. Por mënyra e jetesës ka ndikim të jashtëzakonshëm si mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik dhe dieta e pasur me karbohidrate të rafinuara përkeqësojnë ndjeshëm simptomat. Në të kundërt, ushqyerja e balancura dhe aktiviteti fizik i rregullt mund të përmirësojnë ndjeshëm gjendjen hormonale dhe metabolike.
A mund të lidhet PCOS me stresin apo ushqyerjen jo të shëndetshme?
Perjuci-Begolli: Po, absolutisht. Stresi kronik ndikon në boshtin hipotalamus-hipofizë-vezore dhe mund të çrregulloj ciklin menstrual. Po ashtu, ushqyerja e pa balancuar me shumë sheqerna dhe yndyrna të përpunuara, favorizon rezistencën ndaj insulinës, që është një faktor kyç në zhvillimin e PCOS.
Cilat janë simptomat më të zakonshme që duhet të nxisin një vajzë apo grua të vizitojë endokrinologun?
Perjuci-Begolli: Simptomat më të zakonshme janë: cikës menstrual i çrregullt ose mungesë menstruacionesh, rritje e qimeve në fytyrë, bark, shpinë apo gjoks, domethënë vende që nuk janë karakteristike për femra (hirsutizëm), akne të vazhdueshme dhe rënia e flokëve të pjesën e përparme të kokës, shtim në peshë shumë lehtë dhe vështirë për ta humbur atë, si dhe vështirësi për të mbetur shtatzënë. Çdo vajzë që përjeton disa nga këto shenja duhet të kërkoj këshilla mjekësore, sa më herët aq më mirë për trajtim. Në praktikën klinike, në bazë të shenjave klinike dallojmë katër forma të PCOS:
- Forma klasike me oligoamenore, hiperandrogjenizëm dhe ovare policistike.
- Forma ovulatore me hiperandrogjenizëm, ovare policistike dhe cikle menstruale të rregullta.
- Forma pa cista me oligoamenore, hiperandrogjenizëm dhe ovare normale.
- Forma normoandrogjenike me oligoamenore, ovare policistike dhe androgjenët normal.
Si bëhet diagnostikimi – cilat analiza ose ekzaminime janë më të rëndësishme?
Perjuci-Begolli: Diagnostikimi bazohet në kombinimin e të dhënave klinike, analizave laboratorike dhe ekografisë. Analizat hormonale përfshijnë matjen e LH, FSH, testosteroni total dhe i lirë, androspenedion, DHEAS, 17 (OH) progesteron, HOMA IR, prolaktinë dhe TSH. Zakonisht kemi androgjene të rritura, HOMA IR (rezistenca insulinike), raporti LH/TSH i rritur mbi tri herë. Ekografia e vezoreve vlerëson morfologjinë e vezoreve ku vezorët janë më të rritura, në periferi të tyre vërehen cista me dm 4-6 mm që duken si perla. Sipas kritereve të Roterdam-it, diagnoza vendoset kur janë të pranishme dy nga tre çrregullimet si çrregullimi i ovulimi, hiperandrogjenizëm dhe pamje tipike policistike në ekografi.
A ka raste kur PCOS kalon pa simptoma të dukshme?
Perjuci-Begolli: Po, ndodh. Disa gra kanë formë të lehtë ose asimptomatike, ku cikli mund të jetë pothuajse normal dhe shenjat klinike të pakta. Në këto raste, diagnoza shpesh vendoset rastësisht gjatë ekzaminimeve për infertilitet ose kontrolleve rutinore hormonale.
Si trajtohet sindroma e vezoreve policistike – a ka një terapi standarde apo varet nga rasti në rast?
Perjuci-Begolli: Trajtimi është individual dhe varet nga qëllimi terapeutik – nëse gruaja dëshiron të rregullojë ciklin, të përmirësoj simptomat estetike apo të mbetet shtatzënë. Për rregullimin e ciklit dhe reduktimin e androgjenëve përdoret kontraceptiv oral të kombinuar. Në rastet me rezistencë ndaj insulinës përdoret metformina. Për problemet me fertilitetin trajtimi mund të përfshijë induksion të ovulacionit me medikamente specifike. Gjithmonë duhet të theksohet dhe t’i kushtohet rëndësi e veçantë ndryshimit të stilit të jetës.
A mund të kurohet plotësisht apo vetëm menaxhohet me kohë?
Perjuci-Begolli: PCOS nuk shërohet plotësisht por menaxhohet shumë mirë me trajtim të qëndrueshëm dhe ndryshime në stilin e jetesës. Shumë gra arrijnë cikle të rregullta, përmirësim të lëkurës (akneve), humbje peshe dhe shtatzëni të suksesshme kur e ndjekin terapinë siç duhet.
Sa rol luan stili i jetesë në përmirësimin e gjendjes?
Perjuci-Begolli: Këto kanë një rol kyç, edhe humbja e 5-10% të peshës trupore mund të rikthej ovulacionin dhe të normalizojë ciklin menstrual. Aktiviteti fizik, dieta e pasur me perime, proteina cilësore dhe karbohidrate komplekse janë pjesë e trajtimit po aq të rëndësishme sa medikamentet.
A ndikon PCOS në aftësi për të mbetur shtatzënë?
Perjuci-Begolli: Po, PCOS është një nga shkaqet më të shpeshta të infertilitetit anovulator. Megjithatë, shumica e grave me këtë sindromë mund të mbetën shtatzënë me trajtimin e duhur që përfshin rregullimin e ovulacionit dhe kontrollin e peshës trupore.
Cilat janë pasojat afatgjate nëse nuk trajtohet me kohë?
Perjuci-Begolli: Në mungesë trajtimi PCOS mund të çojë në diabet të tipit 2, hipertension, dislipidemi dhe rritje të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare. Po ashtu, ekspozimi i zgjatur ndaj estrogjenit pa ovulacion rritë rrezikun për hiperplazi endometriale. Prandaj monitorimi afatgjatë është thelbësor.
Cilat janë këshillat që do ju jepnit vajzave të rreja që kanë çrregullime të ciklit apo dyshime për PCOS?
Perjuci-Begolli: Mos e neglizhoni një cikël të parregullte që përsëritet për disa muaj rresht. Duhet patjetër të vlerësoheni nga ana e endokrinologut dhe gjinekologut. Mbani një peshë trupore të shëndetshme, ushqehuni me kujdes, bëni aktivitet fizik dhe shmangni stresin e tepërt. Kontrollet e rregullta nga ana e endokrinologut ndihmojnë në parandalimin e komplikimeve afatgjate.
A rekomandoni kontrolle të rregullta hormonale edhe kur nuk ka simptoma të forta?
Perjuci-Begolli: Po, sidomos për vajzat që kanë histori familjare për PCOS ose që kanë çrregullime metabolike. Një kontroll e hershme ndihmon të kapen ndryshimet hormonale para se të shfaqen simptomet e dukshme.
Mesazhi për fund
PCOS është një sindromë e menaxhueshme nëse trajtohet me qasje të balancuar. Kujdesi ndaj trupit dhe ekuilibri hormonal janë pjesë e shëndetit të përgjithshëm të femrës. Vlerësimi i hershëm, ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik dhe monitorimi i vazhdueshëm janë çelës për jetë të gjatë dhe të shëndetshme.


