Prematuriteti vazhdon të jetë një prej problemeve më të mëdha shëndetësore në vend, ndërsa mjekët e Njësisë së Neonatologjisë në QKUK përballen çdo ditë me raste kritike dhe mungesë të infrastrukturës në spitalet rajonale. Kështu thotë neonatologu Dr. Faton Krasniqi, i cili prej vitit 2005 kujdeset për foshnjat në gjendje të rëndë, përfshirë prematurët me komplikime, foshnjat me anomali të zemrës dhe rastet kirurgjikale.
Në rubrikën “Mjeku i Javës”, Dr. Faton Krasniqi flet për sfidat dhe përvojat në trajtimin e foshnjave premature në Kosovë, rëndësinë e kujdesit të hershëm neonatologjik, shkaqet dhe komplikimet e lindjes parakohe, si dhe këshillat praktike që prindërit duhet të ndjekin për mbështetjen e zhvillimit të fëmijëve të tyre.
Sipas dr. Fatonit në Kosovë, çdo vit lindin rreth 8-10% foshnja para kohe, afërsisht 1000 fëmijë. Prindërit duhet të jenë të informuar për rreziqet dhe komplikimet e prematuritetit, si ato të hershme (rupturë alveolare, infeksione, hemorragji) dhe ato të vonshme (displazi bronkopulmonar, retinopati, çrregullime neurologjike).
Në Kosovë, çdo vit lindin mesatarisht 8-10% fëmijë të lindur parakohe, rreth 1000 foshnja. Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet dhe komplikimet e mundshme të prematuritetit. Komplikimet e hershme më të shpeshta përfshijnë rupturën alveolare, infeksionet, hemoragjitë pulmonare dhe intrakraniale, sidomos tek 20-40% e prematurëve që kanë nevojë për ventilim mekanik. Komplikimet e vonshme më të shpeshta përfshijnë displazinë bronkopulmonar, retinopatinë e prematurit dhe çrregullime neurologjike si paraliza cerebrale dhe vonesa në zhvillimin psiqik dhe motorik, – sqaron dr. Krasniqi.
Sipas Dr. Faton Krasniqit, Klinika e Neonatologjisë në QKUK trajton foshnjat më komplekse në Kosovë, duke përfshirë 785 foshnja të lindura para kohe në vitin 2024. Mungesa e një ambulance neonatale ka qenë sfidë e madhe, e cila u zgjidh me sigurimin e një ambulance të pajisur dhe krijimin e Sistemit Referimi Neonatal. Megjithatë, mungesa e pajisjeve dhe infrastruktura në disa spitale rajonale vazhdojnë të jenë sfida për stafin dhe menaxhimin e rasteve kritike.
Klinika e Neonatologjisë në QKUK është qendra e vetme terciare për trajtimin e foshnjave më komplekse dhe me gjendje të rënda nga gjithë Kosova. Në vitin 2024, në njësinë intensive neonatal janë trajtuar gjithsej 1,095 foshnja, prej të cilave 785 kanë lindur para kohe. Një nga sfidat më të mëdha ka qenë transporti i foshnjave kritike nga spitalet rajonale, sepse shumë spitale nuk kishin ambulanca të pajisura për nevoja neonatale, duke rritur rrezikun për shanset e mbijetesës. Për këtë arsye, në mars 2024 Ministria e Shëndetësisë siguroi një ambulancë neonatale të dedikuar, e pajisur me teknologji moderne, dhe u krijua Sistemi Referimi Neonatal (NRS) me protokolle strikte për transferin e foshnjave kritike.
Përveç transportit, sfidë tjetër mbetet sigurimi i stafit të trajnimit dhe pajisjeve për menaxhimin e rasteve shumë kritike, si foshnjat me prematuritet të thellë ose lindje me peshë shumë të vogël. Trajnime intensive për mjekë dhe infermierë janë zhvilluar me mbështetje ndërkombëtare nga organizata si AMC, Fulbright dhe ekspertë nga Dartmouth, për reanimacion neonatal, menaxhim të rasteve kritike dhe përdorim të protokolleve standarde. Simulimet e bëra kanë identifikuar rreziqe në ambientet e transportit dhe spitalore, të cilat janë adresuar përmes përmirësimeve konkrete.
Megjithatë, sfida mbetet infrastruktura dhe mungesa e pajisjeve adekuate në disa spitale rajonale. Kjo bën që shumë ngarkesë të përqendrohet te Klinika e Neonatologjisë në QKUK, e cila duhet të menaxhojë një numër të madh foshnjash kritike, duke përfshirë monitorim intensiv, ventilim, inkubatorë, reanimacion dhe administrim të medikamenteve si surfaktanti. Përparimet e fundit kanë përmirësuar dukshëm transportin, trajnimin dhe shanset për mbijetesë, por sfidat strukturore dhe infrastrukturore kërkojnë përpjekje të vazhdueshme, – tregon ai.
Më tutje dr. Fatoni tregon se lindja parakohe shpesh shkaktohet nga një kombinim faktorësh, si infeksionet e nënës, qafa e mitrës e dobët, shtatzënitë multiple, problemet me placentën, sëmundjet kronike, stresi, zakonet si duhani, alkooli apo drogërat dhe ruptura e parakohshme e membranave. Shumë nga këto faktorë mund të parandalen ose menaxhohen me kontroll të rregullt obstetrik, trajtim të infeksioneve, pushim dhe mbështetje emocionale, ndërprerje të duhanit, alkoolit dhe drogave. Monitorimi i rregullt, kujdesi ndaj komplikimeve dhe reagimi i shpejtë ndaj simptomave të parakohshme janë thelbësore për të reduktuar rrezikun. Ai ka listuar shkaktarët dhe jep këshilla për parandalimin:
Shkaqet më të zakonshme të lindjes parakohe përfshijnë infeksionet e nënës, si ato urinare, vaginale ose sistemike, të cilat mund të parandalohen me kontrolle të rregullta dhe trajtim të menjëhershëm. Probleme me qafën e mitrës, si insuficienca cervikale ose qafa e shkurtër, mund të identifikohen me matje ultratinguj dhe, në raste me rrezik, të trajtohen me cerclage. Shtatzënitë multiple kërkojnë monitorim obstetrik të afërt, pushim dhe ndjekje në qendra të specializuara. Komplikimet e placentës, si placenta previa ose shkëputja e parakohshme, kërkojnë kujdes të shtuar dhe shmangie të faktorëve të dëmshëm, përfshirë duhanin. Sëmundjet kronike të nënës, si hipertensioni, diabeti, preeklampsia ose sëmundjet e veshkave, parandalohen me kontrolle të rregullta para dhe gjatë shtatzënisë. Stresi fizik dhe emocional kërkon mbështetje emocionale, pushim dhe kujdes psikosocial. Përdorimi i duhanit, alkoolit dhe drogave duhet ndërprerë menjëherë për të reduktuar rrezikun, ndërsa ruptura e parakohshme e membranave kontrollohet përmes monitorimit të infeksioneve dhe shmangies së stresit fizik të tepruar. Parandalimi i përgjithshëm përfshin vizita të rregullta tek mjeku, ushqyerje të shëndetshme dhe marrje të vitaminave prenatale, menaxhim të stresit dhe njoftim të menjëhershëm të mjekut në rast të rrjedhjes së ujit ose dhimbjeve të barkut para kohe, – jep detaje dr. Krasniqi.
Krasniqi tregon se fëmijët e lindur para kohe shpesh përballen me probleme të frymëmarrjes, qarkullimit, ushqimit, neurologjike, ruajtjes së temperaturës, imunitetit dhe shikimit/dëgjimit.
Problemet më të zakonshme shëndetësore te fëmijët e lindur para kohe:
-
a) Probleme me frymëmarrjen– Foshnjat para kohe shpesh kanë mushkëri të papjekura, që prodhojnë pak surfaktant – një substancë që ndihmon që alveolat të mos mbyllen. Kjo shkakton sindromën e distresit respirator (SDR). Trajtim: përdorimi i oksigjenit, ventilimit ose surfaktantit artificial (p.sh. Curosurf).
-
b) Probleme me qarkullimin dhe zemrën– Një problem i zakonshëm është DAP (ductus arteriosus i hapur) – një enë që duhet të mbyllet pas lindjes, por që shpesh qëndron e hapur. Trajtim: barna (indometacin/ibuprofen) ose në raste të rralla ndërhyrje kirurgjikale.
-
c) Probleme me ushqimin dhe tretjen– Foshnjat para kohe shpesh nuk mund të thithin, gëlltisin dhe marrin frymë në të njëjtën kohë, ndaj ushqehen përmes sondës. Ka rrezik për enterokolit nekrotizues (NEC), një inflamacion serioz i zorrëve. Trajtim: ushqim gradual, qumësht i gjirit, mbikëqyrje e kujdesshme.
-
d) Probleme neurologjike– Truri është ende në zhvillim – ekziston rrezik për hemorragji intraventrikulare (IVH) ose vonesë në zhvillimin motorik dhe kognitiv. Parandalim: manipulim minimal gjatë trajtimit, shmangie e ndryshimeve të mëdha të presionit dhe oksigjenit.
-
e) Probleme me ruajtjen e temperaturës– Foshnjat para kohe kanë pak yndyrë trupore dhe humbasin nxehtësinë shumë shpejt. Trajtim: vendosen në inkubator ose nën ngrohës radiant për të ruajtur temperaturën trupore.
-
f) Probleme me imunitetin dhe infeksionet– Sistemi imunitar është i papjekur, prandaj janë më të ndjeshme ndaj infeksioneve bakteriale ose virale. Kujdes: higjienë e rreptë, kufizim i vizitave, dhe ndonjëherë përdorimi i antibiotikëve në bazë të gjendjes klinike dhe analizave laboratorike.
-
g) Probleme me sytë dhe dëgjimin– Mund të zhvillohet retinopatia e prematuritetit (ROP) – rritje e parregullt e enëve të gjakut në retinë që mund të dëmtojë shikimin. Kujdes: kontrolle të rregullta nga oftalmologu neonatal.
-
Si ndihmon kujdesi i hershëm neonatologjik:Kujdesi i hershëm është vendimtar për mbijetesën dhe zhvillimin e shëndetshëm të foshnjave para kohe. Elementët kryesorë të kujdesit neonatal:
-
Kujdes intensiv dhe monitorim 24 orë – për frymëmarrjen, zemrën, temperaturën dhe oksigjenin.
-
Përdorimi i surfaktantit dhe CPAP-it – për të penguar kolabimin e alveoleve.
-
Kujdes i personalizuar ushqyes – me qumësht gjiri ose qumësht të pasuruar, për rritje optimale.
-
Prekja dhe kontakt “kangur” (kangaroo care) – ndihmon në lidhjen emocionale, rregullon temperaturën dhe përmirëson frymëmarrjen.
-
Ndjekje e rritjes dhe zhvillimit pas daljes nga spitali – me kontrolle të rregullta për shikimin, dëgjimin dhe zhvillimin neurologjik.
-
Ekip multidisiplinar – neonatologë, infermierë, fizioterapist, logoped dhe psikolog që punojnë bashkë për zhvillimin e fëmijës.
Sipas Dr. Faton Krasniqit, foshnjat premature që marrin kujdes të hershëm dhe të specializuar kanë shanse më të larta për mbijetesë, rritje normale dhe zhvillim të mirë kognitiv e motorik. Prindërit duhet të qëndrojnë pranë foshnjës, të ndjekin higjienën e rreptë, të preferojnë qumështin e gjirit dhe të respektojnë udhëzimet e mjekut për ushqyerjen. Pas daljes nga spitali, duhet të kujdesen për temperaturën, të shmangin infeksionet dhe të ndjekin kontrollet mjekësore. Mbështetja emocionale, stimulimi i hershëm dhe programet e ndjekjes së zhvillimit janë thelbësore për rritjen afatgjatë të foshnjës.
Kujdesi në spital / njësinë neonatale: Qëndroni pranë foshnjës (kontakt “kangaroo care”) për ngrohtësi dhe lidhje emocionale. Mbani kontakt të shpeshtë me mjekët dhe infermierët: pyetni çdo gjë që ju shqetëson për ushqimin, frymëmarrjen, zhvillimin. Mos frikësohuni të përkëdhelni foshnjën prekja dhe zëri juaj janë shumë të dobishëm për zhvillim. Mbani higjienë të rreptë: larje duarsh para prekjes së foshnjës, vizitorët e kufizuar.
Ushqyerja: Preferoni qumështin e gjirit: ndihmon zhvillimin e sistemit imunitar dhe tretës. Nëse foshnja nuk mund të thithë, përdoret ushqim me sonde nazogastrike, fillohet në sasi të vogla, avansohet gradualisht deri në ushqim total enteral. Ndiqni udhëzimet e mjekut për sasinë dhe shpeshtësinë e ushqyerjes.
Kujdesi në shtëpi pas daljes nga spitali: Mbani temperaturë të qëndrueshme të ambientit, mos e ekspozoni foshnjën ndaj të ftohtit. Kujdes me infeksionet: shmangni turma, vizitorë të sëmurë dhe larje të rregullt të duarve. Ndiqni kontrollet mjekësore të rregullta (fizioterapi, kontrolle oftalmologjike, dëgjimi, neurologji).
Vëzhgimi i shenjave të alarmit: Tërheqjet interkostale dhe subkostale të shpeshta, frymëmarrje e shpejtuar, temperaturë e lartë ose e ulët, gulçim, kollë, vjellje ose ndonjë ndryshim i sjelljes. Nëse shfaqen këto, kontaktoni menjëherë mjekun ose infermierin.
Mbështetja emocionale e prindërve: Prindërit e foshnjave premature shpesh ndihen të stresuar ose të frikësuar. Flisni me profesionist mjekesor, psikologë, grupet mbështetëse ose komunitete të tjera prindërish për të ndarë përvojat dhe për të marrë mbështetje.
Për zhvillimin afatgjatë: Stimulimi i hershëm: prekje, zë, lojëra të thjeshta, biseda me foshnjën. Ndiqni programet e ndjekjes së zhvillimit që ofrojnë spitalet ose qendrat e specializuara. Foshnjat premature kanë nevojë për vlerësim të rregullt neurologjik, të të ushqyerit dhe të perceptimit deri në moshën shkollore.
Në përfundim, kujdesi i hershëm dhe bashkëpunimi i prindërve me mjekët përmirëson ndjeshëm rezultatet te foshnjat premature. Me trajtim të duhur, shumica prej tyre rriten dhe zhvillohen normalisht. /Gazeta Shneta/


