Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Mjeku i Javës: Dr. Hekuran Shahini flet për infeksionet kronike të veshit tek fëmijët

Mjeku i javës 23/03/2026
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Në kuadër të rubrikës “Mjeku i javës”, këtë herë sjellim një intervistë me mjekun specialist të ORL-së, Dr. Hekuran Shahini, i cili flet për infeksionet kronike të veshit tek fëmijët, shkaqet, simptomat, rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe mënyrat e trajtimit.

Intervista e plotë:

Shneta: Infeksionet kronike të veshit tek fëmijët

Në kuadër të infeksioneve kronike të veshit tek fëmijët, zakonisht infeksionet më të shpeshta përfshijnë veshin e mesëm. Infeksionet kronike të veshit në moshën pediatrike përfaqësojnë një proces inflamator që zgjat më shumë se tre muaj të veshit të mesëm, i cili shpesh zhvillohet si pasojë e infeksioneve të përsëritura akute dhe mosfunksionimit të tubës auditive (Eustachit). Kur dihet që tek mosha pediatrike tuba auditive ka pozitë horizontale, të shkurtë dhe më pak funksionale, kjo pastaj krijon kushte të pamjaftueshme të ajrosjes së kavitetit timpanik apo veshit të mesëm dhe grumbullim të sekretit. Inflamacioni i vazhdueshëm krijon ndryshime kronike mukozale, hiperplazi epiteliale dhe rritje të sekrecioneve. Shpeshherë ndodh që ky proces inflamator të shoqërohet me perforacion të membranës timpanike, rrjedhje të vazhdueshme të qelbit nga veshi dhe në këtë rast krijon gjendje të vazhdueshme inflamacioni.

 Cilat janë shkaqet më të zakonshme të infeksioneve kronike tek fëmijët?

Shkaktarët e infeksioneve kronike tek fëmijët janë multifaktorialë dhe zakonisht zhvillohen pas infeksioneve akute jo të shëruara plotësisht dhe infeksioneve të përsëritura. Shkaktarët më të shpeshtë të këtyre infeksioneve përfshijnë:

Disfunksioni i tubës auditive: Tek fëmijët tuba auditive është më e shkurtë, më horizontale dhe funksionalisht jo e pjekur. Kjo jep predispozitë për ajrosje të vogël të veshit të mesëm, presion negativ dhe efuzion të vazhdueshëm duke krijuar një ambient të favorshëm për infeksione kronike.
Infeksionet e përsëritura akute të veshit të mesëm: Infeksionet e përsëritura akute sjellin deri tek edema e mukozës, pamundësia e pastrimit dhe ndryshime strukturore të mukozës së veshit të mesëm.
Hipertrofia e adenoidit (bajamja e tretë e rritur): Adenoidi i rritur në mënyrë mekanike e mbyll tubën auditive (Eustachit) ose shërben si rezervuar i baktereve dhe kështu kontribuon në infeksione të vazhdueshme të veshit të mesëm.
Reaksionet alergjike dhe inflamacionet e traktit të sipërm të frymëmarrjes:  Inflamacionet kronike nazale shkaktojnë edemë të tubës auditive (Eustachit) dhe pengojnë ajrosjen e veshit të mesëm.
Faktorët e jashtëm: ekspozimi në vende ku pihet duhani, ndotja e ajrit.
Faktorët imunologjikë.

Si dallohen infeksionet akute nga ato kronike të veshit?

Infeksioni i veshit të mesëm që është i vazhdueshëm ose nëse shoqërohet me kullim nga veshi përafërsisht 3 ose më shumë muaj, atëherë mund të quhet infeksion kronik dhe që shoqërohet me ndryshime strukturore, nga ku dallon nga infeksioni akut që është i shkurtë, me simptoma prominente sistemike dhe shenja lokale.

Cilat janë shenjat që tregojnë se një infeksion i veshit tek fëmijët nuk po shërohet normalisht?
Janë disa shenja që na tregojnë që infeksioni i veshit tek fëmijët nuk po shërohet, e ato janë: Simptomat e vazhdueshme ose keqësimi i tyre.
Dhimbja e veshit që nuk kalon as pas 48-72 orë të trajtimit.
Ethe e vazhdueshme ose që rriten përkundër terapisë.
Iritim i vazhdueshëm, parehati, pagjumësi ose fëmijë që qan.
Kullim (lëng, qelb ose gjak) nga veshi që tregon se membrana timpanike është çarë.
Skuqje, ënjtje prapa veshit.
Fëmija nuk reagon në zëra.

Sa e rëndësishme është diagnostikimi i hershëm për parandalimin e dëmtimeve të dëgjimit?

Është shumë i rëndësishëm diagnostikimi i dëmtimeve të dëgjimit në moshë sa më të hershme, për shkak se dëgjimi është vendimtar në zhvillimin e gjuhës dhe të folurit, posaçërisht në 2-3 vitet e para të jetës. Humbja e dëgjimit që nuk vërehet herët mund të shkaktojë vonim në të folur, vështirësi në mësim dhe çrregullime të sjelljes. Intervenimet në fillim japin shkathtësi normale të komunikimit dhe mësim të gjërave të reja.

Cilat trajtime dhe procedura mjekësore janë më të përdorura për infeksionet kronike të veshit tek fëmijët?

Tek fëmijët, trajtimi i infeksioneve kronike të veshit varet se ku infeksioni lokalizohet, në veshin e mesëm apo të jashtëm. Disa nga procedurat mjekësore dhe trajtimet që përdoren janë këto:

Trajtimi konservativ: Terapia topike (më e shpeshta): pika antibiotike (me apo pa steroide), dobiprurëse më shumë tek otiti kronik supurativ i veshit të mesëm.
Terapia sistemike: përdoret tek infeksionet më të rënda akute të veshit, tek infeksioni kur shpërndahet ose jep simptoma sistemike.
Steroid nazal: kur kemi disfunksion të tubës auditive (Eustachit) dhe hipertrofi të adenoidit (bajames së tretë).

Trajtimi kirurgjik: Miringotomia me apo pa tuba ajrosës: përmirëson ajrosjen e veshit të mesëm, rikthen dëgjimin, zvogëlon efuzionin përsëritës.
Timpanoplastika: tek perforimi i përhershëm, rikthen integritetin e membranës timpanike, përmirëson dëgjimin dhe parandalon kullimin përsëritës.
Adenoidektomia: shpesh e kombinuar me vendosje të tubave për ajrosje, me efikasitet më të lartë tek fëmijët mbi 4 vjet, ulë shkallën e rekurencës.
Mastoidektomia: tek rastet e komplikuara kronike supurative, tek kolesteatoma.
Rehabilitimi i dëgjimit: kur nuk indikohet kirurgjia, atëherë vijnë në shprehje aparatet ndihmëse të dëgjimit.

Çfarë këshillash mund t’u jepen prindërve për parandalimin dhe menaxhimin e infeksioneve të veshit tek fëmijët në shtëpi?

Ekzistojnë shumë këshilla për të parandaluar dhe menaxhuar infeksionet e veshit tek fëmijët para se ato të ndodhin, duke filluar nga higjiena e duarve, shmangia e kontakteve me fëmijë të tjerë të sëmurë, vaksinimi me kohë, shmangia nga ekspozimi në tymin e duhanit. Tjetër këshillë e dobishme është që fëmijët nuk duhet ushqyer me shishe në pozitë të shtrirë; qumështi i gjirit është mbrojtës dhe rekomandohet heqja e biberonit pas vitit të parë tek fëmijët. Pastrimi i hundës me tretje fiziologjike gjatë të ftohurave, trajtimi i rinitit alergjik në mënyrë të duhur. Të mos pastrohen veshët me tampon pambuku, të mbahen veshët të thatë nëse ekziston perforacion i membranës timpanike ose gjatë kullimit. Gjatë pezmatimit të veshit, kullimit, vështirësisë në dëgjim, etheve, atëherë prindërit duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore profesionale tek mjeku otorinolaringolog. Në shumicën e rasteve, problemet kronike të veshit tek fëmijët janë të lidhura me disfunksion të tubës auditive (Eustachit) dhe infeksioneve të përsëritura të hundës.

Artikulli paraprakVdes në QKUK edhe 31-vjeçarja e dyshuar për vrasjen e dyfishtë në Podujevë
Artikulli i rradhës QKUK konfirmon vdekjen e të dyshuarës për vrasjen e dyfishtë në Podujevë

Ju sugjerojmë

Mjeku i Javës – Dr. Valon Hamza: Si ndikojnë temperaturat e larta në sistemin tretës

16/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës – Dr. Ramadan Halimi: Kur ankthi maskohet si sëmundje – simptomat që ngatërrojnë pacientët

06/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Zarife Rexha flet për rrezikun nga temperaturat e larta për pacientët me sëmundje kardiovaskulare

29/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Albana Bislimi Krasniqi flet për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe sfidat e furnizimit me gjak në Kosovë

22/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Rreze Serhati-Morina flet për sëmundjet e tiroides, simptomat dhe rëndësinë e diagnostikimit në kohë

15/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës – Dr. Osman Ramadani: Sëmundjet kardiovaskulare, faktorët e rrezikut dhe rëndësia e parandalimit.

08/06/2026 Mjeku i javës
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.