Në kuadër të rubrikës “Mjeku i Javës”, intervistuam Dr. Ilir Bajraktarin, kardiolog në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, i cili foli për simptomat e heshtura të sëmundjeve të zemrës, ato shenja që shpesh neglizhohen nga pacientët dhe mund të çojnë në diagnostikim të vonuar.
Dr. Bajraktari thekson se lodhja e pazakontë, vështirësitë në frymëmarrje, djersitja e ftohtë dhe dhimbjet jo tipike mund të jenë tregues të problemeve kardiake, duke nënvizuar rëndësinë e kontrolleve preventive dhe ekzaminimeve të hershme.
Intervista e plotë:
Gazeta Shneta: Çfarë nënkuptojmë me “simptoma të heshtura” të sëmundjeve të zemrës?
Dr. Bajraktari: Me “simptoma të heshtura” nënkuptojmë shenja që nuk janë të imtemzitetit tipik, pra jo të dhimbje të forta në kraharor dhe për këtë arsye shpesh nuk merren seriozisht. Trupi i njeriut shpesh jep sinjale të vogla – lodhje, vështirësi në frymëmarrje, jorehati – mundim– por pacienti i neglizhon dhe nuk i lidh menjëherë me problemet me zemrën.
Cilat janë sëmundjet e zemrës më të shpeshta që hasen sot tek pacientët?
Dr. Bajraktari: Sëmundjet më te shpeshta te zemrej janë: Sëmundja koronare e zemrës, Insuficienca kardiake, Hipertensioni arterial, Aritmitë kardiake, Sëmundjet e valvulave të zemrës. Shumica e tyre zhvillohen me simptoma të heshtura dhe me zhvillim gradual dhe pa simptoma të qarta në fillim.
A shfaqen këto sëmundje me simptoma të ndryshme, apo kanë shenja të përbashkëta?
Dr. Bajraktari: Sëmundjet e zemrës kanë disa shenja dhe simptome të përbashkëta që shfaqen shumicën e kohës, edhe pse kanë edhe shenja të ndryshme. Simptome më të shpeshta të sëmundjeve të zemrës janë: lodhje jo e zakontë, frymëzanje, rrahje të çrregullta të zemrës, dhimbje gjoksi jo tipike, shumica e simmptomeve, sidomos kur ato janë me intenzitet më të vogël, pra të heshtura, fillimisht neglizhohen dhe pacienti i ndërlidh me stresin, ushqimin, moshën apo edhe angazhimet ditore.
Cilat janë shenjat më të shpeshta që pacientët i injorojnë, por që mund të lidhen me probleme kardiake?
Dr. Bajraktari: Simptoma që janë mjaftë problematike e që shpesh injorohen, e në fakt do duhej ti kushtohej më shumë vëmendje janë: lodhja e vazhdueshme , vështirësia në frymëmarrje gjatë ecjes normale, dhimbja në qafë, shpinë, nofull ose stomak, djersitja e ftohtë pa arsye, enjtja e këmbëve. Këto janë në fakt shenja alarmuese, jo gjendje normale.
A mund të shfaqen sëmundjet e zemrës pa dhimbje tipike në kraharor?
Dr. Bajraktari: Po, shumë shpesh dhimbja është me intenzitet të dobët, e kjo ndodh sidomos te: Gratë, pacientët me diabet melit, dhe të moshuarit. Infarkti, për shembull, mund të zhvillohet edhe pse jo aq shpesh pa dhimbje gjoksi, por me lodhje, frymëzanje ose nauze.
Sa shpesh ndodh që pacientët diagnostikohen vonë për shkak të mungesës së simptomave të qarta?
Dr. Bajraktari: Fatkeqësisht, mjaft shpesh. Shumë pacientë disa simptoma të heshtura i neglizhojnë dhe vijnë te mjeku vetëm kur ndodh një ngjarje akute, ndërkohë që sëmundja ka qenë e pranishme prej vitesh.
A ndryshojnë simptomat e sëmundjeve të zemrës te gratë krahasuar me burrat?
Dr. Bajraktari: Tek gratë më shpesh paraqiten me: lodhje ekstreme, dhimbje shpine ose nofulle, shqetësime gastrointestinale, ankth ose ndjesi të përgjithshme jo të mirë. Prandaj edhe fakti se keto simptoma janë më të heshtura tek gratë bën që diagnoza të vonohet më shpesh te gratë.
Cilat grupe të popullsisë janë më të rrezikuara nga këto simptoma “të heshtura”?
Dr. Bajraktari: Nga simptomat e heshtura të sëmundjeve të zemrës më të rrezikuarit janë: personat me diabet melit, duhanpirësit, personat me mbipeshë, ata me histori familjare të sëmundjeve të zemrës, personat me stres kronik dhe stil jete pasiv
Kur duhet një person të kërkojë kontroll kardiologjik edhe nëse mendon se është i shëndetshëm?
Dr. Bajraktari: Një kontrollë kardiologjike është e arsyeshme kur pacienti ka: lodhje të pashpjegueshme, vështirësi në frymëzanje, rrahje të çrregullta të zemrës, shtypje të lartë të gjakut, histori familjare pozitive. Por edhe kontrollat preventive tek kardiologu edhe pa simptoma, janë shumë të rëndësishme.
Çfarë ekzaminimesh ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjeve të zemrës?
Dr. Bajraktari: Ekzaminimet e standardit të artë në zyrën e kardiologut e që zbulojnë shumë janë: EKG Ekokardiografia Analiza të gjakut (yndyrnat, glikemia, enzimat kardiake etj), Stres testi koronar (apo EKG ne sforcim fizik), Holter monitorimi 24-orësh i tensionit të gjakut ose ritmit. Këto ekzaminime shpesh zbulojnë problemin para se të shfaqen simptomat.
Çfarë mesazhi do t’u jepnit qytetarëve?
Zemra nuk lajmëron gjithmonë — shpesh flet në heshtje.
Mos i injoroni as shenjat e vogla, sepse zbulimi i hershëm shpëton jetë.
Bëni jetë aktive fizikisht, hani shëndetshëm, largojuni veseve të këqija – duhanit, alkoolit, drogave, konsultohuni me mjekun tuaj, përdorni terapinë me rregullë ( nëse keni), dhe atëherë zemra juaj do tju falënderoj./Gazeta Shneta/


