Astma bronkiale është një nga sëmundjet kronike më të përhapura të rrugëve të frymëmarrjes që prek fëmijët por edhe të rriturit. Për të kuptuar më mirë këtë sëmundje, simptomat, diagnostikimin dhe trajtimin e saj e shpjegon dr. Leonard Muja specialist pulmolog në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, i cili do të sqaroi disa nga pyetjet më të shpeshta të pacientëve apo lexuesve tanë.
Shneta: Çfarë është astma bronkiale dhe si shfaqet ajo?
Dr. Muja: Astma bronkiale është një sëmundje kronike e rrugëve të frymëmarrjes. Ajo karakterizohet nga nje inflamacion (pezmatim) dhe ngushtim i bronkeve gjë që e vêshtirëson kalimin e ajrit në mushkëri. Si pasojë pacienti përjeton vështirësi në frymëmarrje që zakonisht shfaqet me epizode apo kriza të frymëzënies.
Cilat janë simptomat më të shpeshta të astmës?
Dr. Muja: Simptomat tipike të astmës janë vështirësi në frymëmarrje, ndjenjë shtrëngimi në krahëror, frymëmarrje me fishkëllimë (wheezing), kollë e thatë sidomos natën ose herët në mëngjes. Këto simptoma mund të jenë të lehta ose të rënda dhe shpesh përkeqësohen gjatë natës ose edhe me aktivitet fizik.
A mund të shfaqet astma në çdo moshë?
Dr. Muja: Astma mund të shfaqet në çdo moshë, ndonëse më e shpeshtë është në fëmijëri shpeshherë mund të diagnostikohet edhe tek të rriturit apo të moshuarit.
Cilët janë faktorët që e nxisin ose përkeqësojnë astmën?
Dr. Muja: Astmën e përkeqësojnë disa faktorë dhe më të zakonshëm janë: alergjenet (pluhuri, poleni, endotoksinat, qimet e kafshëve, infeksionet virale të rrugëve të frymëmarrjes, tymrat (duhani, ndotja e ajrit) aktiviteti fizik i rëndë, ajri i fohtë, stresi emocional.. etj.
Si diagnostikohet astma dhe cilat ekzaminime përdoren?
Dr. Muja: Diagnoza e astmës vendoset përmes bisedës me mjekun pulmolog i cili bazohet në anamnezën, historinë klinike dhe ekzaminimet fizike ndaj pacientit ku ndër më të saktat është spirometria , si testi kryesor që konfirmon sëmundjen si dhe në raste tjera edhe testet alergjike.
A është astma sëmundje e trashëgueshme?
Dr. Muja: Astma ka komponente gjenetike, pra mund të jetë e trashëgueshme. Nëse njëri prind ose të dy prindërit kanë astmë ose alergji, rreziku për fëmijën është më i lartë por jo çdo fëmijë do ta zhvillojë patjetër sëmundjen.
Si trajtohet astma dhe a mund të mbahet nën kontrollë?
Dr. Muja: Astma nuk shërohet plotësisht, por me trajtim të rregullt mund të mbahet shumë mirë nën kontrollë. Trajtimi bëhet me inhalator me kortikosteroide ( për kujdes afatgjatë), bronkodilatatorë (për lehtësim të shpejtë të krizës), shmangien e faktorëve nxitës, pra me terapi të rregullt shumica e personave bëjnë jetë normale.
Çfarë duhet të bëjë një person gjatë një krize astmatike?
Dr. Muja: Gjatë krizës astmatike personi duhet të qëndroj ulur dhe i qetë, të përdorë menjëherë inhalatorin e shpejtë, nëse simptomat nuk përmirësohen pas disa minutash pra nëse personi ka vështirësi në frymëmarrje, vështirësi në të folur duhet të kërkojë ndihmë mjekësore urgjente.
Çfarë këshillash do tu jepnit pacientëve për të jetuar me astmë?
Dr. Muja: Ndër këshillat kryesore janë përdorimi i terapisë me rregull sipas udhëzimeve të mjekut. Këshillat kryesore: Mos ndërprisni mjekimin edhe kur ndiheni mirë, shmangni duhanin dhe ambientet e mbyllura me tym, bëni aktivitet fizik të moderuar, mbani gjithmonë me vete inhalatorin e urgjencës, kryeni vizita sistematike tek mjeku juaj. Pra me menaxhim të duhur astma nuk do të iu pengojë të bëni jetë aktive dhe cilësore.


