Në rubrikën “Mjeku i Javës”, kemi kënaqësi të prezantojmë Dr. Sahadete Kelmendi, Specialiste e Mjekësisë Familjare dhe Shefe e Njësisë së Shërbimeve Shtëpiake në Qendrën e Mjekësisë Familjare XI në Prishtinë.
Me një bagazh përplot gjashtëmbëdhjete vite të bukura dedikuar me dhembshmëri dhe empati ndaj pacientëve të shërbimit shtëpiak, Dr. Kelmendi në një intervistë për Gazetën Shneta na tregon rreth rrugëtimit të saj dhe punës që bëhet në kuadër të kësaj njësie.
Dr. Sahadete Kelmendi ka përfunduar Mjekësinë e Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Për të vazhduar më pastaj me specializimin e Mjekësisë Familjare të cilën e përfundon me sukses në vitin 2005. Më shumë se 20 vite përvojë pune, që nga viti 2008 është sistemuar në Shërbimin e Mjekimit Shtëpiak në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
HISTORIKU I ZHVILLIMIT TË SHËRBIMIT SHTËPIAK-KRONIK NDËR VITE
Shërbimi i mjekimit shtëpiak apo shërbimit kronik u themelua në vitin 1986 si njësi e veçantë në kuadër të QKMF në Prishtinë.
Kontribues për hapjen e këtij shërbimit mjaft të nevojshëm për qytetarët e kryeqytetit, ishte Dr. Avni Idrizi, tani më i ndjeri. Dhënia e shërbimeve ka vazhduar rregullisht deri në vitin 1992 kur me dhunë janë larguar punëtorët nga regjimi i atëhershëm. Pas luftës është rihapur përsëri deri në vitin 2003, ku pati edhe një ndërprerje të funksionimit të shërbimit. Ndërkaq nga viti 2005 e tutje, shërbimi shtëpiak ka vazhduar punën ndër vite përkundër sfidave të mëdha që kanë shoqëruar procesin.
Deri në qershorin e vitit 2020, shërbimi shtëpiak ka funksionuar me orare pune nga ora 07-15:00 me një staf të vogël (dy mjeke dhe katër infermierë). Ndërsa në kohën e pandemisë COVID-19, kur nevoja për ndihmë ishte edhe më e madhe, ky shërbim zgjerohet me një staf të ri dhe puna vazhdoi me dy ndërrime. Dy ekipe mjekësore në ndërrimin paradite dhe dy ekipe mjekësore në ndërrimin pasdite.
Ndërsa nga marsi i 2022, qytetarët mund të marrin shërbime shtëpiake në shtatë ditë të javës, duke përfshirë fundjavat dhe festat nga ora 07-19:00.
Nga 1 janari 2023, shërbimi shtëpiak është njësi e veçantë në kuadër të QKMF-së me udhëheqës dhe shefa përgjegjës të kësaj njësie.
Dr. Sahadete Kelmendi është pjesë e shërbimit që nga vitit 2008, e nga muaji janar 2023 mban pozitën e UD. Shefe në këtë njësi.

KUSH JANË PËRFITUESIT E KËTIJ SHËRBIMI SHTËPIAK-KRONIK?
Janë pacientët me sëmundje të rënda, ata që për arsye të ndryshme shëndetësore nuk mund të vizitojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare më të afërt, qofshin pacientë më sëmundje kronike, malinje, me shputa diabetike, amputime të gjymtyrëve të poshtme, pacientët pas aksidenteve apo pas interventimeve kirurgjikale si dhe pacientët me retardime.
Dr. Kelmendi tha se pacientët me sëmundje kardiovaskulare përfshihen në përqindje më të madhe të kërkimit të këtyre shërbimeve, pastaj janë pacientët me sëmundje respiratore, pacientët me diabet (tipit 1 dhe 2) të përcjellur me ata me shputa diabetike, me amputime të gjymtyrëve të poshtme dhe një përqindje tjetër e madhe është edhe e pacientëve me sëmundje malinje dhe pacientë me sëmundje neurodegjenerative.
Mbi këtë parim bazë mbështetet shërbimi shtëpiak e që është paaftësia e pacientit për lëvizje si pasojë e gjendjes shëndetësore.
SHËRBIMET QË OFROHEN PËRMES SHËRBIMIT SHTËPIAK-KRONIK
Dr. Kelmendi na tregon se më shumë se 200 vizita dhe shërbime mjekësore ofrohen çdo ditë për pacientë qofshin ato vizita për dhënie të terapisë, matjen e glikemisë, oksigjenoterapisë, matjen e parametrave vital, reflekset neurologjike, kateterizime, lidhje – pastrim dhe fashim të plagëve etj.
Përveç këtyre shërbimeve, rol të rëndësishëm zë vend edhe edukimi dhe këshillimi i pacientëve dhe familjarëve. Kjo arrihet përmes këshillimit rreth përcjelljes dhe monitorimit të parametrave vital, marrjen e rregullt të terapisë me barna, dietën ushqyese dhe aktivitetin fizik aq sa ka mundësi të realizohet si dhe tek pacientët që janë të palëvizshëm gjithmonë tregohet kujdes rreth rekomandimit të përdorimit të dyshekëve antidekubital, thekson mes tjerash, Dr. Kelmendi gjatë intervistës.
Ky shërbim operon në të gjithë kryeqytetin me fshatrat përreth. Këta janë numrat kontaktues për të gjitha ata që kanë nevojë për shërbimin shtëpiak në pamundësi të lëvizjes drej QMF më të afër:
0800 99 99 9 – është numër papagesë nga operatori Vala.
038 222-374 – numri i dytë që mund të kontaktoni për marrjen e shërbimeve shtëpiake.
Kërkesat për marrjen e shërbimeve shtëpiake pranohen gjatë gjithë orarit të punës (07-19:00).
Një fakt i rëndësishëm që duhet sqaruar është se ky shërbim nuk është i llojit urgjent (si 194), andaj këto shërbime janë të natyrës kronike dhe jo emergjente.
Këtu vlen të theksohet dhe një sqarim tjetër se pacientët që do t’i marrin shërbimet shtëpiake nga profesionistët shëndetësor me prioritet të lartë do të jenë ata që kanë terapi me barna antibiotike për shkak të dispensimit të duhur të tyre në kohë të caktuar dhe pacientët me sëmundje malinje në fokus të menaxhimit të dhimbjeve.
Me ekspertizë të pashembullt dhe një zemër plot empati, Dr. Kelmendi i kapërcen kufijtë e zakonshëm të kujdesit shëndetësor. Së bashku me ekipën mjekësore të shërbimit shtëpiak sigurohen me aq sa kanë mundësi që çdo pacientë të marrë standardin e lartë të kujdesit mjekësor në komoditetin e shtëpisë së tyre. Puna në terren dhe përzierja e mprehtësisë klinike dhe dhembshurisë i veçon ekipën e shërbimeve shtëpiake.

Shërbime shtëpiake – kronike, përfaqësojnë një nivel të trajtimit mjekësor tejet të rëndësishëm që ndikon në mirëqenien fizike dhe shpirtërore të pacientëve duke ofruar një litar lehtësimi dhe rehatie në mjedisin shtëpiak duke ngritur sadopak dinjitetin dhe shpresat e pacientëve drejt shëndetit të mirë.
Dr. Kelmendi për fund iu drejtohet pacientëve me përulësinë e madhe duke u zotuar se do i shërbej vizionit të shenjtë të figurës mantelbardhë deri në fund me dije dhe mundësitë që do e përcjellin përgjatë jetës:
“Ne jemi këtu për ju dhe do të jemi me ju deri në fund të jetës, të ju përkrahim në aspektin mjekësor, psikologjik dhe shpirtëror aq sa kemi dije dhe mundësi”.
– Dr. Sahadete Kelmendi, Shefe e Njësisë së Shërbimeve Shtëpiake në QKMF në Prishtinë.
/Gazeta Shneta/


