Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli shpërthimin e Mpox në Afrikë një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.
Sëmundja Mpox shkaktohet nga virusi i lisë së majmunit. Ky është nga i njëjti grup virusesh si lija, por është shumë më pak i dëmshëm.
Virusi fillimisht u transmetua nga kafshët te njerëzit, por tani kalon edhe midis njerëzve.
Në lidhje me këtë virus, Gazeta Shneta ka zhvilluar një intervistë me infektologun e Klinikës Infektive në QKUK, Lirim Tafilaj.
“Virusin Mpox OBSH e ka shpallur për herë të dytë emergjencë globale, njëjtë e ka shpallur edhe para dy vitesh, kjo ka ndodhur për shkak të rritjes së numrit të rasteve në Afrikën Qendror dhe Perendimore dhe për mos eskalimin e situatës e ka shpallur emergjencë mjekësore”, u shpreh Tafilaj.
Dr. Lirimi foli edhe për ngjashmërinë që ky virus ka me atë të viteve 1972-80, variola vera apo lija e zezë.
“Tek ne nuk kemi dhe nuk kemi patur raste të tilla, simptomat janë të ngjashme apo të përafërta me virusin e variola veres, ndryshe lija e zezë apo lija e madhe që ka qenë një epidemi në vitin 1972 dhe është përmbyllur në vitin 1980. Për fat të mirë kjo është një sëmundje shumë më e lehtë dhe në përqindje të vdekshmërisë është shumë më e ulët që dikun është në 1% me maksimumin deri në 10%, kurse varjola vera e ka patur një përqindje deri në 50%”, tha tutje Tafilaj.
Sipas infektologut përhapja e tij bëhet me kontakt dirket dhe të afërt me personin e infektuar, nëse kemi ndonjë person të infektuar duhet të shmangim kontaktin direkt me të.
Ai tutje u shpreh se Klinika Infektive çdo herë ka qenë e përgatitur për epidemi të tilla, edhe për epidemin e Mpox ka hapësira dhe staf profesional të përgatitur dhe nuk presin të ketë ndonjë problem lidhur me këtë.
Tafilaj gjithashtu tregoi gjithashtu nëse për viruse të tilla do të jetë i nevojshëm vaksinimi.
“Nëse ndodh që kemi rritje të rasteve Instituti dhe Ministria e studiojnë situatën dhe bëjnë planifikimet për vaksinim, sa i përket virusit të Nilit nuk kemi vaksinim ndërsa për Mpox është vaksina që është përdorur për Varjola Veren dhe ka një mbrojtje diku përmbi 85%”, përfundoi Tafilaj. /Gazeta Shneta/
Ndiqeni më poshtë intervistën e plotë të infektologut – Lirim Tafilaj:


