Një mjek i njohur në Kosovë pësoi një sulm në tru javën e kaluar, por fatkeqësisht ai nuk u trajtua në qendrën Stroke të QKUK-së për shkak të mungesës së radiologut që ishte në gatishmëri dhe materialit mjekësor.
Një mjek i njohur në Kosovë kërkoi ndihmë në Qendrën Klinike Universitare para një jave për shkak të sulmit në tru. Ai u dërgua në qendrën Stroke e cila gjendet në Klinikën e Neurologjisë, por fatkeqësisht nuk mori trajtim, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka mësuar se mjeku fillimisht kishte kërkuar ndihmë në Shkup, e më pas edhe në Tiranë.
Radiologu Bujar Gjikolli i cili ishte në gatishmëri nga data 01 deri më 15 qershor, në ditën kritike për mjekun me sulm në tru, Gjikolli gjendej në pushim. Një koleg tjetër i tij i cili ishte në punë atë ditë, e lëshoi rastin me arsyetimin se mungon materiali për të punuar.
Gazeta ka pyetur SHSKUK-në për mungesën e materialit dhe mungesën e radiologut që ishte në gatishmëri atë ditë, por ky institucion ka kthyer përgjigje vetëm për të parën. Përgjigje nuk ka kthyer as vet Gjikolli.
SHSKUK thotë se sektori i prokurimit në QKUK ka proceduar kërkesat për blerje të materialit për Stroke Center sipas kërkesave të Klinikës së Radiologjisë.
“Procedura ka qenë e ndarë në loto të ndryshme, sipas specifikave. Për një pjesë të lotove procedura ka përfunduar dhe është sjellë materiali, përderisa pëkundër ripërsëritjes, në disa loto ka dështuar tenderi, meqë nuk ka pasur ofertues sipas specifikave të kërkuara nga klinka. Aktualisht, për këto loto procedura është në vlerësim”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/