Në Spitalin Shën Martini në Duderstadt të Gjermanisë është implantuar me sukses, për herë të parë, një stimulues kardiak pa tela (pacemaker). Ndryshe nga stimuluesit tradicionalë, kjo pajisje nuk kërkon kabllo që e lidhin me muskulin e zemrës, duke ulur kështu rrezikun e komplikimeve si infeksionet dhe problemet teknike që lidhen me elektrodat.
Procedura u realizua me sukses, ndërsa ekipi mjekësor u shpreh shumë i kënaqur me rezultatin e implantimit të parë të kësaj teknologjie në spital. Ndërhyrja u krye nga Dr. Thomas Peter, konsulent i lartë në Kardiologji, i cili theksoi se stimuluesi kardiak pa tela mundëson një trajtim më pak invaziv për pacientët e përzgjedhur.
“Stimuluesi kardiak pa tela na mundëson të ofrojmë kujdes më të mirë për pacientë të përzgjedhur. Kjo procedurë mund të jetë një alternativë veçanërisht e dobishme për të moshuarit ose për personat me rrezik të shtuar për infeksione”, thotë ai.
Procedura u vëzhgua nga Jacky Mediavilla Asenjo, përfaqësues i kompanisë së teknologjisë mjekësore Medtronic, e cila zhvilloi këtë teknologji inovative. “Stimuluesit kardiakë pa tela janë rezultat i shumë viteve të zhvillimit teknologjik dhe hapin mundësi të reja në trajtimin e aritmive kardiake”, shpjegoi Asenjo.
Pjesë e ekipit që realizoi implantimin ishte edhe kardiologu kosovar, Dr. Fatbardh Hasku, shef i Kardiologjisë në spital. Ai theksoi se ky sukses dëshmon rëndësinë e ofrimit të shërbimeve inovative mjekësore edhe në zonat rurale.
“Ky realizim i suksesshëm thekson gjithashtu rëndësinë e shërbimeve inovative mjekësore në zonat rurale dhe kontribuon që pacientët të marrin trajtim cilësor pranë vendbanimit të tyre”, theksoi ai.
Çfarë e dallon këtë stimulues kardiak nga sistemet tradicionale?
Ky stimulues kardiak përdoret për pacientët që kanë rrahje shumë të ngadalta të zemrës, një gjendje që mund të shkaktojë marramendje, lodhje, gulçim apo edhe humbje të vetëdijes.
Ndryshe nga stimuluesit tradicionalë, të cilët vendosen nën lëkurë në kraharor dhe lidhen me zemrën përmes kabllove, ky stimulues i ri është shumë më i vogël dhe vendoset drejtpërdrejt në zemër përmes një kateteri të futur nga vena në ijë. Kjo do të thotë se nuk nevojiten prerje në kraharor dhe as kabllo lidhëse.
Sistemi është zhvilluar veçanërisht për pacientët me çrregullime të përcjelljes së impulseve elektrike në zemër dhe ndihmon në ruajtjen e ritmit normal të saj.
Sipas mjekëve, përparësitë kryesore janë procedura më pak invazive, rreziku më i ulët i infeksioneve dhe komplikimeve, mungesa e shenjave të dukshme në kraharor, si dhe mundësia që pacientët të kryejnë ekzaminime me rezonancë magnetike (MRI). Bateria e pajisjes mund të zgjasë deri në 13 vjet.
Ky tekst është marrë nga blogu Clanys Eichsfeld dhe është përkthyer e redaktuar nga Gazeta Shneta.


