Studiuesit sugjerojnë se inteligjenca artificiale mund të përdoret për të identifikuar shënjues epigjenetikë në gjak dhe për të klasifikuar individët në grupe me rrezik të lartë për prediabet.
Këta shënjues pasqyrojnë procese biologjike të lidhura me diabetin, inflamacionin, sëmundjet kardiovaskulare dhe ato të veshkave, duke ndihmuar në parashikimin e përparimit të sëmundjes, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Prediabeti është një gjendje ku niveli i glukozës në gjak është më i lartë se normalja, por jo aq sa të diagnostikohet diabeti i tipit 2. Kjo gjendje rrit rrezikun për diabet dhe komplikime të tjera, përfshirë sëmundjet e zemrës.
Zbulimi i hershëm është thelbësor, sepse mundëson ndërhyrje që e vonojnë ose e parandalojnë zhvillimin e sëmundjes.
Studimet e fundit tregojnë se këta faktorë luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e diabetit të tipit 2 dhe mund të shërbejnë si objektiva për parandalim dhe trajtim më efektiv.
Një studim i shkencëtarëve të lidhur me “German Center for Diabetes Research”, botuar në “Biomarker Research”, sugjeron se një analizë e thjeshtë gjaku e kombinuar me AI mund të zbulojë herët personat me rrezik të lartë për diabet dhe komplikimet e tij.
Modeli i AI arriti të klasifikojë individët në grupe me rrezik të lartë me rreth 90% saktësi edhe kur u testua në një grup të pavarur.
Shumë nga këta shënjues lidhen me rrugë të ndryshme biologjike dhe disa janë lidhur më parë me diabetin e tipit 2, inflamacionin kronik dhe sëmundjet e zemrës e veshkave.
Kjo sugjeron se dallimet epigjenetike mund të shpjegojnë pse prediabeti shfaqet ndryshe te individë të ndryshëm.
Sipas studiuesve, një test i tillë gjaku mund të mundësojë parandalim më të hershëm dhe më të personalizuar, duke ndihmuar në ndërhyrje të synuara në stilin e jetesës ose trajtim mjekësor për personat më të rrezikuar. /Gazeta Shneta/


