Afër dy milionë shërbime mjekësore laboratorike u kryen vetëm vitin e kaluar në Klinikën e Biokimisë me njesitë e saj vartëse.
Krenare Hoxha
Numër ky që u rrit çdo tre mujor që nga fillimi i 2020 e deri tani, dhe me rritjen e rasteve nga pandemia u rrit edhe më shumë bashkëpunimi mes klinikave me atë të Biokimisë.
Gjithsesi, ndonëse puna vazhdoj me rregull gjatë gjithë kësaj periudhe, nevojat, sfidat dhe kërkesat e stafit mjekësor u shtuan, shkruan Gazeta Shneta.
E, një nevojë që është e dukshme këto kohë është mungesa e teknik-laborantëve.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, drejtori i kësaj klinike, dr. Shemsi Veseli tregon që nevoja për teknik-laborant është e madhe.
“Kemi nevojë shumë për teknik-laboratori kurse për staf superior më pak për shkak se deri diku i plotësojmë standartet, ndërsa për teknik laboratori kemi shumë nevojë, dhe mund të them kemi nevojë për më shumë se 20 teknik”, tha Veseli.
Gjithsesi, sfidat e klinikës janë të ndryshme, e mes tjerash drejtori tregon që Klinika e Biokimisë ka nevojë për avancim teknologjik të vazhdueshëm të pajisjeve, në mënyrë që të gjitha shërbimet që qytetarët i kanë të nevojshme t’i kryejnë aty.
“Realisht klinika ka shumë sfida, sidomos është një aparaturë e vjetër e cila ka nevojë të ripërtërihet. Kemi pas raste të shumta gjatë pandemisë kur brenda ditës kemi kryer 10 mijë analiza që është një numër jashtëzakonisht i madh për kapacitetin e një aparature që ndoshta i ka kaluar edhe pritshmëritë e kapacitetit të vet, dhe normalisht që kanë defekte, prishje më shpesh, prandaj në klinikë duhet të këtë një aparaturë të avancuar që quhet aparatura Modulare”, u shpreh drejtori.
Një kërkesë për këtë aparaturë është bërë edhe nga klinika drejt drejtorisë së përgjithshme por ende nuk ka një përgjigjë konkrete rreth saj.
Ndonëse në disa klinika tashmë është funksionalizuar metoda teknologjike e marrjes së numrave dhe listimi i të dhënave të pacientëve në mënyrë elektronike, një gjë e tillë është ende mungesë në Klinikën e Biokimisë. Prandaj kjo gjë sipas drejtorit i vështirëson punët.
Sipas Veselit puna e klinikës vazhdon më procedurë të rregullt edhe në mënyrën tradicionale të mbledhjës së informatave përmes të shkruarit, por në mënyrën elektronike me barkode do ishte më efikase.
“Është një sfidë për ne edhe shërbimi informativ laboratorik, ku në fakt janë barkodet që duhet të vendosën në mënyrë elektronike, por tek ne ende punohet në mënyrë manuale që duhet të ketë shumë kujdes gjatë shënimit të të dhënave pasi që ka një numër të madh të pacientëve”, tha ndër të tjera drejtori i klinikës.
E, një problem të kësaj klinike të cilën drejtori e ka paraqitur edhe më herët është mos prania e reagjentëve laboratorikë në listën esenciale të barnave. Veseli thekson se këta reagjentë janë esencial për zhvillimin e punës laboratorike dhe përfundimin e analizave të cilat kryhen çdo ditë në klinikë.
Sipas Veselit, investimi në shëndetësi nuk është i kënaqëshëm dhe buxheti për shëndetësi duket i mangët. Prandaj ai pret të punohet më shumë në krijimin e shërbimeve spitalore.
Në anën tjetër, drejtori thekson se në ditët në vijim planët e klinikës në përforcim të shërbimeve laboratorike do të zgjerohen.
“E kemi një plan se bashku me ekipin, madje i kemi paraqit tre projekte të hulumtimit që do të bëhen, njëra është depistimi i fëmijëve, sidomos tek hormonet e gjandrës tiroide që është shumë e nevojshme për fëmijët, në anën tjetër ka disa punime që kanë dëshmuar pjesërisht që ne si popullatë në Kosovë pavarësisht ekspozimit në diell jemi të priur të kemi mungesë të vitaminës D. Dhe hulumtimi i tretë është llojet e leukimive të fëmijët, që po është e shprehur sidomos me flucitometri me përcaktimin e këtyre llojeve, kemi një aparat që ka qenë që nga 2007-2008, e ai si aparat mund të jetë i demoduar për shkak se teknologjia është avancuar shpejt dhe ai është një tip i aparaturës i cili është dal nga përdorimi”, përfundoi ai.
Kujtojmë që Klinika e Biokimisë në muajt e fundit ka filluar të ofrojë shërbime të rejapër sëmundje autoimune, analizat e faktorëve të koagulimit të gjakut, analizat specifike biokimike dhe analizat imunologjike, statusi hormonal, hormonet e Gjëndrës Tiroide dhe tumorë markerët./Gazeta Shneta/