Ministria e Shëndetësisë e ka anuluar tenderin për mirëmbajtjen e pajisjeve të SISH-it të cilave iu skadoi afati i garancionit pa u përdorur fare në institucionet shëndetësore. Ky tender është anuluar pas raportimit të Gazetës Shneta dhe me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm Naim Bardiqi pas një ekspertize të Bankës Botërore e cila kishte konstatuar se në tender ishin vendosur kritere kufizuese të panevojshme.
Ministria e Shëndetësisë e ka anuluar tenderin në vlerë 716 mijë euro për mirëmbajtjen e pajisjeve të Sistemit Informativ Shëndetësor, i cili iu dha kompanisë “Infosoft Systems” në fund të qershorit të këtij viti, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka raportuar për këtë tender me titull ““Mirëmbajtja e 70% te HW te SISH-it për Institucionet Shëndetësore”, i cili ishte iniciuar për mirëmbajtjen e pajisjeve të quajtura “Zero Client” të cilat përdoren për regjistrimin e pacientëve në SISH.
Kompjuterët “Zero Client” janë blerë nga MSH përmes një tenderi në vitin 2018 nga kompania “Infosoft Systems” në vlerë rreth 4.6 milionë euro, ndërsa ishin dorëzuar në një depo të QKUK-së në fillim të vitit 2020 ku qëndruan për gati tre vite, aq sa kishin edhe garancion.
Tenderi për mirëmbajtje i cili u anulua nga Ministria e Shëndetësisë, ishte për mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve të cilat sa ishin në garancion nga kompania që i shiti nuk u përdorën asnjëherë.
Sipas Njoftimit për anulimin e tenderit, vendimi është marr me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm të MSH-së Naim Bardiqi, i cili ka refuzuar nënshkrimin e kontratës.
“Anulimi i aktivitetit është kërkuar me shkrim nga ZKA-Sekretari i Përgjithshem, pas shqyrtimit te lendes ne fazën para nënshkrimit te kontratës. Ne bazë te kërkesës se ZKA, është dhene ekspertizë nga ekspertë te Bankës Botërore ne Kosovë dhe bazuar ne gjetjet e tyre, Sekretari i Përgjithshem ka refuzuar nënshkrimin e kontratës dhe ka kërkuar nga ZPP ritenderimin e këtij aktiviteti”, thuhet në njoftim.
Për më tepër, sipas njoftimit bëhet e ditur se ekspertiza e Bankës Botërore për këtë tender ka rezultuar se janë vendosur kritere të panevojshme kufizuese duke kufizuar kështu edhe konkurrencën e operatorëve ekonomik.
“Bazuar ne ekspertizën e BB, nga ZKA është konstatuar se disa kërkesa kanë qenë ne mënyrë te panevojshme kufizuese, duke marrë parasysh edhe faktin se kemi pranuar vetem një ofertues, nderkohë qe ka pasur shumë OE qe e kanë shkarkuar Dosjen e tenderit ne eprokurim. Sqarim shtesë ToR dhe kriteret teknike profesionale per këtë aktivitet janë hartuar nga një komision i angazhuar me vendim per këtë projekt. Aktiviteti është tenderuar ne bazë te specifikave dhe kritereve te kërkuara nga Njësia e kërkesës, duke mos ndryshuar asnjë kriter, meqenëse aktiviteti është i natyrës profesionale. AK-MSh gjatë ritenderimit te këtij AP, do ti rishikoj kërkesat e tenderit, ne mënyrë qe te rritet konkurenca dhe mos te ketë kufizime”, thuhet në njoftimin për anulimin e aktivitetit.
Për mos përdorimin e këtyre pajisjeve Gazeta Shneta ka raportuar fillimisht në maj të vitit të kaluar kur u zbulua se kompjuterët “Zero Client” ishin lënë në depo të QKUK-së pa u përdorur asnjëherë. Një vit më vonë, në qershor të këtij viti MSH vendosi që ta shpërblejë kompaninë e njëjtë për mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve me tenderin në vlerë 716 mijë Euro.
Kompania “Infosoft Systems”, gjysma e së cilës është në pronësi të kompanisë nga Shqipëria “Investment Joti Infosoft Group” nuk i është përgjigjur Gazetës asnjëherë në pyetjet për këto pajisje. /Gazeta Shneta/




