Vetura zyrtare e drejtorit të Spitalit të Gjakovës sërish është fotografuar pranë kafiterisë “Garazhat” në Gjakovë.
Drejtori i Spitalit të Gjakovës Jeton Zarari e frekuenton shpesh kafiterinë “Garazhat” në Gjakovë. Nga zyra e tij Zarari shkon me veturë zyrtare, e cila sërish është fotografuar në parkingun pranë kafiterisë, shkruan Gazeta Shneta.
Disa fotografi të cilat e dëshmojnë se vetura është parkuar aty pranë kafiterisë kanë ardhur në adresë të Gazetës. Zarari e ka mohuar se ka shkuar në kafiteri, duke thënë se parkingu është poashtu afër Stacionit Policor. Në fakt parkingu ku gjendet vetura zyrtare dhe stacionin e Policisë së Kosovës e ndan rruga “Skenderbeu”.

Gazeta është në pritje të konfirmimit nga Policia në Gjakovë nëse Zarari është ftuar nga zyrtarët policor për ndonjë çështje, apo i njëjti e ka përdorur këtë institucion për ta arsyetuar praninë e veturës zyrtare në parkingun pranë kafiterisë.
“Me vie keq, qe po keqinformoheni. Ky eshte parkingu me i afert edhe me stacionin policore te Gjakoves. Aty zakonisht e parkoj makinen, kur me therrasin per lende te ndryshme, bile mjaft shpesh. Sa per informate, asnjehere nuk shkoj paradite, gjate orarit te punes ne kafiterine e permendur. Mos harroni se e keni publikuar edhe vitin e kaluar , nje foto te tille ; mu ne kohen kur kam qene ne vikend , ne Turqi. Keni gabuar. Verifikoni mire informatat”, ka deklaruar Zarari.
Në fakt është krejt e kundërta nga ajo çfarë ka deklaruar Zarari vitin e kaluar. Ai e kishte konfirmuar vet se e frekuenton kafiterinë në fjalë duke u arsyetuar se shkon aty për të kontrolluar stafin e spitalit.
“Zakonisht dal në një lokal të quajtur ‘Garazhat’ afër këtij parkingu. Njëherit edhe i kontrolloj punëtorët e Spitalit, të cilët qëndrojnë më gjatë për mëngjes”, kishte thënë Zarari vitin e kaluar.
Kujtojmë se automjetet zyrtare mund të përdoren vetëm brenda orarit zyrtar të punës dhe për detyra zyrtare. /Gazeta Shneta/





