MSh në fillim të vitit 2023 pati publikuar një Njoftim Paraprak për vazhdimin e punimeve në objektin e ri të Emergjencës në QKUK. Në atë njoftim vlera e parashikuar ishte 15.8 milionë Euro. Ndërkaq dje është publikuar Njoftimi për Kontratë me vlerë 22.5 milionë Euro. MSh thotë se çmimi nuk është rritur por është ridizejnuar projekti
Në kohën e pandemisë Covid-19 në vitin 2020 ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj pati iniciuar një projekt për përfundimin e punimeve në objektin e ri të Emergjencës në QKUK, i cili ishte riprojektuar për nevoja të pacientëve me Sars-Cov-2, shkruan Gazeta Shneta.
MSh kishte paguar afër 190 mijë Euro për riprojektim dhe përshtatje të objektit për nevoja të pandemisë, ndërsa ishte publikuar edhe tenderi në vlerë rreth 18.5 milionë Euro për punimet. Por ky tender u anulua nga MSh pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti 2.
MSh në fillim të vitit 2023 e riktheu këtë tender përmes një Njoftimi Paraprak i cili kishte vlerë të parashikuar rreth 15.8 milionë Euro. Ndërkaq dje është publikuar Njoftimi për Kontratë por vlera e parashikuar ka shkuar në 22.5 milionë Euro.
Nga MSh i kanë thënë Gazetës Shneta se Njoftimi Paraprak ishte publikuar bazuar në vlerën indikativë të Planifikimit të Prokurimit për vitin 2023. “Në fillim të vitit 2023 kure është hartuar Planifikimi i Prokurimit nuk ka qenë projekti aktual zbatues dhe nuk është ditur se sa do të jetë vlera reale e këtij projekti, por është marre si vlerë indikative sipas kornizave buxhetore”, kanë thënë nga kjo ministri.
Ata nuk pranojnë ta quajnë rritje të çmimit nga 15.8 në 22.5 milionë Euro. Sipas MSh-së vlera e dytë është dhënë nga projektuesi.
“Nuk mund të quhet rritje e çmimit nga Njoftimi Paraprak, por duhet të quhet vlera Parallogaritare e dhënë nga projektuesi. Kjo vlerë prej rreth 22.5 milion Euro është parapare nga kompania projektuese e cila e ka bërë ri-projektimin e këtij projekti dhe ajo është përgjegjëse për projektin, paramasen dhe parallogarinë e ofruar për MSh-në”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Nga ministria kanë thënë se vitin e kaluar e kanë paguar kompaninë projektuese me plus 10 për qind të kontratës paraprake për ridizejnimin e projektit.
“Projekti i vitit 2020 ka qenë per Spital te Covidit, ndërsa pas kalimit te Covidit është parë e nevojshme kthimi ne destinimin fillestar si Qendër e Mjekësisë Emergjente. Në vitin 2023, vetëm me 18,667.37 euro, ose 10% e vlerës se kontratës bazë të projektimit të vitit 2020 është bërë ri-projektimi duke u trajtuar që nga fillimi projekti, me qellim që të jetë sa me funksional dhe mos te ketë mangësi në të ardhmen si projekt”, kanë deklaruar nga MSh.
Shuma prej 22.5 milionë Euro është arsyetuar me përmbajtjen e projektit, specifikat e tij, materializimet dhe funksionet e përfshira, si dhe rritjen e çmimeve të materialit ndërtimor dhe fuqisë punëtore.
“Ta kemi parasysh se në këtë projekt janë inkorporuar kërkesat e Grupit punues prej profesionisteve shëndetësor dhe inxhinierik, ku është ri-trajtuar si shtese heliopadi mbi objekt, duke paraparë ngritjen me konstruksion të qelikut të platformës mbi objekt si dhe përforcimet statike me profile qeliku për tere vertikalet e objektit në zonën e ngarkesave nga heliopadi, duke u shtuar sasi e madhe e hekurit në objekt. Gjithashtu është shtuar komunikimi i ngrohte – rampa lidhëse në mes objektit me Kirurgjinë ekzistuese, si dhe ndryshime tjera në përbërje dhe materializime”, thuhet në sqarimet e MSh-së.
Në projektin dhe tenderin e vitit 2020 ishte paraparë edhe vendosja e sistemit të klimatizimit. Këto pozicione janë hequr pas riprojektimit vitin e kaluar. Nga MSh thonë se ventilimi është ndryshuar pasi ishte paraparë për nevoja të Covid-19.
“Projekti i vitit 2020 ka qenë për Spital të Covidit, me parametra për funksion tjetër, ku ventilimi ka ndryshuar për shkak të shkalles se infeksioneve, ndërsa pas kalimit te Covidit është parë e nevojshme kthimi në destinimin fillestar si Qendër e Mjekësisë Emergjente”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Kompania “Alb Architect” e cila e kishte bërë projektin, poashtu e kishte fituar edhe Lotin 2 për mbikëqyrjen e punimeve. Lot 2 kishte kushtuar poashtu afër 190 mijë Euro. Nga MSh thonë se për këtë Lot nuk kanë paguar asnjë cent dhe se do të shohin mundësitë ligjore nëse mund të shfrytëzojnë këtë kontratë.
“Për Lot-in 2 të mbikëqyrjes, MSh nuk ka paguar asnjë cent, meqenëse si kontratë ka qenë e kushtëzuar të realizohet vetëm nëse kryhet edhe pjesa e punëve. Arsye që është kontraktuar edhe mbikëqyrja në 2020 ka qenë për shkak se kërkohej që me urgjence të realizohet projekti dhe të shtohen hapësirat spitalore dhe numri i shtretërve (gjendja e valës se pandemisë Covid-19). Në këtë faze që jemi, me projektin e ri te Qendrës se Mjekësisë Emergjente, MSh do ta shikoj mundësitë ligjore nëse mund ta shfrytëzoj ose jo kontratën e vitit 2020 për mbikëqyrjen e projektit”, kanë deklaruar nga MSh.
Sipas dosjes së tenderit pas dhënies së kontratës punimet duhet të kryhen brenda 30 muajve.
Projekti për këtë ndërtesë ka filluar në vitin 2010 ndërsa punimet kishin nisur në vitin 2016 dhe më pas operatori ekonomik ishte tërhequr. Për punët e kryera në objektin ekzistues MSH ka paguar mbi 4.4 milionë Euro. /Gazeta Shneta/