Për respiratorë dhe teste për Covid-19, Ministria e Shëndetësisë e ka shpërblyer kompaninë “Interlab” me kontrata të negociuara në vlerë mbi 2 milionë euro.
Kompania “Interlab” në kohë pandemie ka përfituar tri kontrata të negociuara nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kapin shumën mbi 2 milionë euro, shkruan Gazeta Shneta.
MSH këtë kompani me pronar Betim Sadriun, e ka shpërblyer para pak ditësh me një kontratë të negociuar për 60 mijë teste PCR për Sars-Cov-2, në vlerë 1 milion e 300 mijë euro.
Kjo kontratë iu dha kompanisë pasi Ministria e Shëndetësisë dështoi të realizojë procedurën e hapur për blerjen e testeve, ku “Interlab” ka qenë njëra nga ofertuesit. Megjithatë edhe kjo kontratë tashmë është në procedurë të ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik.
Një kontratë të negociuar për teste PCR, “Interlab” e kishte fituar edhe në muajin maj. Kontrata ishte në vlerë 157 mijë euro për furnizim të rreth 10 mijë testeve PCR.
Ndërkaq në muajin prill Ministria e Shëndetësisë kishte blerë nga kjo kompani 30 respiratorë në vlerë 749 mijë euro. Këto pajisje me origjinë nga Kina ishin dorëzuar në Qendrën Klinike Universitare rreth 3 muaj më vonë pasi kontrata parashihte 70 ditë kohë të liferimit. /Gazeta Shneta/