Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka reaguar ndaj një artikulli të publikuar me titull “‘Shpërthen’ interneti me shitjen e barnave ilegale në Kosovë, Ministria e Arben Vitisë hesht”, duke hedhur poshtë pretendimet se nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këtë çështje.
Sipas njoftimit zyrtar, thuhet se në emailin zyrtar të MSh-së nuk kanë pranuar asnjë pyetje nga portali në fjalë, në lidhje me temën e trajtuar, duke theksuar se pretendimi për mungesë reagimi nuk qëndron, transmeton Gazeta Shneta.
Në lidhje me luftimin e shitjes së barnave ilegale, Ministria bën të ditur se ka rritur kapacitetet inspektuese, duke shtuar 35 inspektorë shëndetësor dhe farmaceutik.
Të dhënat zyrtare tregojnë një rritje të ndjeshme të inspektimeve: nga 504 inspektime në vitin 2019, në 2,221 inspektime gjatë vitit 2025. Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë vitit 2025 janë shqiptuar gjithsej 383 gjoba.
Nga to, 107 gjoba janë dhënë për produkte të paautorizuara në tregun e Kosovës, ku në shumicën e rasteve janë konfiskuar edhe produkte psikotrope. 41 gjoba janë shqiptuar për mungesë të farmacistit dhe posedim të barnave ilegale, 185 gjoba për mungesë të farmacistit, ndërsa 50 gjoba për shkelje të tjera, përfshirë 14 raste të dhënies së barnave pa recetë të mjekut.
MSh-ja, fton qytetarët dhe mediat që çdo dyshim apo parregullsi ta raportojnë në Inspektoratin Shëndetësor dhe Farmaceutik, i cili sipas njoftimit, është në dispozicion 24 orë në ditë për të vepruar në kohë dhe në përputhje me ligjin. /Gazeta Shneta/



