Nga 70 mostra pozitive me Covid, 12 raste rezultojnë të kenë qenë të variantit Delta Plus.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur nga 70 mostra të dërguara ditë më parë përmes projektit ECDC në laboratorët Eurofin, Gjermani, sekuencionimi është bërë në 59 raste, prej të cilave në 12 raste është identifikuar varianti Delta Plus dhe në 47 raste është identifikuar varianti Delta shkruan Gazeta Shneta.
Instituti Kombëtar planifikon që të hënën të dërgojë mostra të tjera pozitive me Covid, të mbledhura përgjatë këtyre dy javëve të fundit, me qëllim të mbikëqyrjes virologjike të varianteve të SARS-CoV-2 në qarkullim në Kosovë.
Aktualisht, situata epidemiologjike me Covid në vendin tonë ka shënuar një rënie të numrit të rasteve të infektimit për 19.11 për qind krahasuar me dy javët e fundit.
Poashtu, edhe rastet e vdekjes dhe numri i pacientëve të hospitalizuar kanë shënuar rënie.
“Pasi që janë detektuar 12 raste SARS CoV-2 varianti AY.4-like Delta Plus në Kosovë (20.33%), edhe-pse varianti Delta akoma është dominant (79.66%), ekziston rreziku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri Delta Plus.”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
Së fundmi, Ministria u bën thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë vendimet e Qeverisë, si dhe të vaksinohen kundër Covid-19./Gazeta Shneta/